www.shkodrasport.com
Klodian Semina drejt Kinës. Ofertë nga Beijing Guoan
Mbrojtësi shkodran Klodian Semina mund të kalojë në kampionatin kinez të futbollit. Pas Hamdi Salihit që firmosi pak ditë më parë për një nga skuadrat e këtij vendi, tashmë duket se do të jetë rradha e Seminës për ta bërë një gjë të tillë. Lajmi bëhet I ditur nga burime pranë klubit të futbollit Vllaznia, drejtuesit e të cilit dje kanë negociuar me lojtarin për të mos e lejuar të largohet. Por në fakt, mbrojtësi shtatëlartë në kontratën që ka firmosur me klubin shkodran në gushtin e vitit të kaluar, e ka një opsion për largim në rast të ardhjes së një oferte nga jashtë vendit. Dhe skuadra që e kërkon me ngulm duket se është Beijing Guoan. I kontaktuar nga gazeta, këtë lajm e ka pohuar edhe vetë lojtari që ka mbushur pak ditë më parë 24 vjeç. “Po, është e vërtetë se më kanë kontaktuar përmes menaxherit drejtuesit e ekipit të Beijing në Kinë, ekip ky që është ndër më të mirët e këtij vendi. Oferta e tyre financiare është e mirë dhe me shumë mundësi, unë do të nisem shpejt për në Kinë sepse drejtuesit e këtij klubi duan që të firmosin sa më shpejt kontratën në mënyrë që të më kenë të gatshëm për ndeshjet në vazhdim të kampionatit”. Nga ana tjetër, bjondi shtatëlartë ka konfirmuar edhe faktin tjetër se Vllaznia për arsye të dhënies së leje-kalimit nuk mund t’I bëhet pengesë ngaqë e ka këtë opsion në kontratë por pengesë për largimin e tij po bëhet tjetër gjë. Këtë e bën të ditur Semina për gazetën tonë kur thotë: “Unë mund të largohem nga Vllaznia sepse e kam opsion në kontratë për t’u larguar jashtë vendit. Megjithatë në skenë ka dalë presidenti Çela I cili kërkon të më mbajë në skuadër. për këtë arsye, më ka ofruar rishikim kontrate me shuma të tjera dhe zgjatjen e saj edhe për sezonin tjetër. Prandaj do kem edhe një takim të fundit me të dhe më pas do të vendos se çfarë do bëj, do qëndroj tek Vllaznia apo do largohem për në Kinë”. Mbrojtësi I qendrës që ka luajtur edhe në të majtë, në verë ishte shumë pranë firmosjes në Maltë me ekipin e Florianës por gjërat dështuan në momentet e fundit dhe I mbetur pa skuadër, ai u kthy në Shkodër ku drejtuesit e Vllaznisë pranuan të firmosnin një kontratë njëvjeçare me të, ndoshta duke e konsideruar si alternativë për mbrojtjen. Megjithatë, pa kaluar shumë kohë, ai zuri vendin e titullarit duke bërë paraqitje shumë të mira. Semina ka luajtur edhe mbrëmjen e së premtes titullar në Korçë ndaj Skënderbeut dhe ka qenë ndër më të mirët në fushë. Pikërisht kjo paraqitje e tij duket se I ka shtyrë drejtuesit e Vllaznisë të mendojnë për ta mbajtur në skuadër dhe të mos e lejojnë të largohet drejt Kinës megjithatë, për këtë do të vendosë vetë lojtari, mbase gjatë ditës së sotme sepse kinezët e Beijing nuk presin por duan një përgjigje sa më të shpejtë.