Jurgen Klop nuk është kursyer sërish për të ngritur tonet kundër kalendarit në Premier League. Tekniku gjerman këtë sezon iu desh të hiqte dorë nga Kupa e Ligës, duke aktivizuar ekipin U23 pasi në ditën pasardhëse duhej të ndeshej me Monterej në gjysmëfinalen e Kupës së Botës për Klube.
Tashmë, Liverpuli edhe skuadrat e tjera, ndryshe nga kampionatet e tjerë europianë, do të zbresin në fushë sot në mbrëmje dhe me datë 28 dhjetor.
Tekniku i Liverpul e ka cilësuar këtë kalendar si një krim dhe se pavarësisht se askush nuk është dakord, sërish vazhdohet me të njëjtin avaz. “Të luash më datë 26 dhe më pas me 28 dhjetor është absurde.
Askush nuk është dakord me këtë, por sërish vazhdohet i njëjti avaz. Këtë vit ne luajmë me datë 26 dhjetor e më pas me 29, dhe na duket sikur kemi një pushim të madh.
Natyrisht, ne mund të themi atë që duam, por askush nuk na dëgjon. Çdo vit për ne trajnerët është e njëjta histori. 26 dhe 28 dhjetor.
Dhe shkenca e sportit nuk jep dot asnjë përgjigje si të përballesh me këtë situatë. Trupi kërkon një periudhë të caktuar para se të rifillojë sërish, kjo është shkenca. Por ne e injorojmë këtë”, u shpreh Klop. /VipSport/