Futbollistët e Vllaznisë duket se janë ndër më të pëlqyerit në kampionatin shqiptar. Janë disa prej tyre që po tentohen si nga skuadra brenda vendit ashtu edhe jashtë tij.

Njëri prej tyre është edhe sulmuesi anësor Liridon Latifi, i cili ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve të huaja europiane. Nga burime të “Shkodra Sport” mësohet se, disa klube janë interesuar për futbollistin kosovar, por 28-vjeçari ka edhe një vit kontratë me Vllazninë dhe drejtuesit kuqeblu vazhdimisht kanë theksuar se, kosovari është një element i rëndësishëm për skuadrën e tyre në vazhdimësi.

Në fakt, “Shkodra Sport” mëson se nuk ka pasur asgjë zyrtare deri më tani, por thjesht gjithçka ka mbetur në kuadrin e një dëshire të mundshme, pasi vështirë se ndonjë nga klubet e interesuara mund të paguajë për shërbimet e Latifit.

Te Vllaznia nga ana tjetër e kanë të qartë se lojtari do jetë pjesë e tyre edhe në sezonin e ri dhe kjo padyshim që i ka ngrohur ata sepse pritet të jetë një sezon edhe më i mirë për futbollistin nga Prishtina.
Maringlen ZHIVANI