Teuta vazhdon me “spastrimet”, duke konfirmuar çdo ditë e më tepër revolucionin që do të ketë në klub pas dështimit për të arritur synimet në sezonin 2021- 2022.“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se mesfushori ganez, Ruben Akuah, është i larguari i radhës nga Durrësi.

Pas Bllagoja Todorovskit, Sebino Plakut, Filip Ivanoviçit dhe Albano Aleksit, Teuta ndan kështu rrugët me një tjetër futbollist që ka qenë titullar.Mesfushori qendror u aktivizua në 25 ndeshje gjatë kampionatit të fundit, ndërsa tashmë është i lirë të provojë një aventurë të re.

Sakaq, ka qenë edhe vetë lojtari, i cili ka konfirmuar dje për gazetën “divorcin” me klubin durrsak. “Kur erdha te Teuta kisha bërë një kontratë vetëm për një sezon. Mund t’ju konfirmoj se e kam mbyllur eksperiencën në Durrës, nuk do të vazhdoj të jem pjesë e ekipit.I falënderoj të gjithë ata që më mbështetën këtë sezon dhe i uroj suksese klubit”, ka thënë shkurtimisht 25-vjeçari ganez.

SITUATA – Teuta është kthyer si një kantier ndërtimi pas përfundimit të sezonit. Deri më tani nga klubi ka pasur vetëm largime, por në të njëjtën kohë drejtuesit po punojnë që të bëjnë edhe afrimet e duhura për të kompletuar skuadrën.

Fillimisht në klub janë duke negociuar me ata lojtarë që nuk kanë më kontratë, në një kohë që ka dilema për emra si Jahmir Hyka dhe Asion Daja, të cilët nuk dihet nëse do të vazhdojnë edhe në sezonin e ri me “djemtë e detit”.

Drejtuesit duan që të afrojnë më tepër lojtarë me moshë të re, duke u bazuar edhe tek elementët më të spikatur të akademisë.
Këtyre të fundit do t’u jepet më shumë hapësirë, ashtu siç ka ndodhur në sezonet e kaluara, ku janë fituar futbollistë me të ardhme si Lorenco Vila, Dejvid Kapllani, Ledio Beqja dhe Artan Jazxhi, të gjithë të dalë nga akademia.

Presidenti Hasanbelliu është i vendosur që të ndërtojë një ekip kompetitiv, ku sigurisht synimet do të jenë madhore.