Vllaznia-Durrësi 04 është çifti finalist i këtij edicioni në Kupën e Shqipërisë U-17, prej nga ku do të përcaktohet edhe fituesi i Kupës 2021-2022, për këtë grupmoshë.

Kujtojmë se pak ditë më parë, shkodranët u shpallën edhe kampionë të Superiores për grupmoshën U-17, teksa ditën e sotme në lojë do të jetë edhe një tjetër trofe, që do tentohet me patjetër të fitohet. Vllaznia, fituese e kampionatit të Superiores, duhet ta fitojë me patjetër për ta përmbyllur në mënyrë të suksesshme këtë sezon. Shkodranët e kanë vetë në dorë fatin e tyre.

Në finalen e sotme të Kupës ndaj Durrësi 04, ata do të shkarkojnë të “gjitha” bateritë, ashtu siç bënë në finale e kampionatit ndaj Shënkollit, për ta mbyllur sezonin edhe me një tjetër trofe. Javët e fundit, Vllaznia ka pasur formën e duhur, por sot gjithçka ndryshon, teksa nuk duhet të nënvlerësohet as ekipi tjetër, edhe pse fituan ndaj tyre në çerekfinalen e kampionatit, 1-3.

Në stolin e Vllaznisë, është një trajner me përvojë, që do dijë ta mbajë ekipin në tonus sërish. E kemi fjalën për Edmond Doçin. Në fakt, një ndeshje të tillë e zgjidhin edhe individualitet dhe episodet, ashtu siç ndodhi në finalen ndaj Shënkollit. Edhe fati ka pjesën e vet sigurisht, por kur në krye të ekipit është një trajner me përvojë, si Edmond Doçi, gjithçka mund të bëhet më e lehtë për ekipin shkodran.

Megjithatë, vetëm fusha e blertë do të tregojë, nëse trofeu i Kupës së Shqipërisë do të shkojë sërish në Shkodër, ashtu siç shkoi trofeu i kampionatit, apo do të shkojë në Durrës. Një gjë e tillë mbetet për t’u parë. Ndeshja Vllaznia-Durrësi 04 do të luhet ditën e sotme në Kamëz, duke nisur nga ora 17:30.
Maringlen ZHIVANI