Pas kalimit në turin tjetër të Kupës në ndeshjen e djeshme ndaj Flamurtarit, Vllaznia do të ketë sërish një përballje jo të lehtë të dielën, në orën 15:00, në stadiumin e Laçit kundër vendasve, teksa i duhet të rikthehet te fitorja pas rezultatit të ndeshjes së fundit në Shkodër ndaj Partizanit, ku humbi 1-2.

Edhe pse Laçi nuk po kalon rezultate fort pozitive, ata kanë treguar se mund t’u bëjnë dëm shkodranëve dhe për këtë, trajneri Mirel Josa ka paralajmëruar skuadrën që pas ndeshjes së djeshme ndaj Flamurtarit në konferencën për shtyp.

Ndërkohë, tekniku kryeqytetas nuk do të ketë në dispozicion katër titullarë për shkak dëmtimesh, siç janë Liridon Latifi, Fjoart Jonuzi, Elvedin Heriç dhe Esin Hakaj. Nga ana tjetër, gjendja e Lorik Boshnjakut mbetet për t’u parë deri në seancat e fundit stërvitore, pasi mesfushori kosovar nuk ka ardhur akoma në 100% e tij dhe është në pikëpyetje akoma për ndeshjen ndaj Laçit.

Edhe pse kontigjenti i Vllaznisë është i kompletuar, përsëri për trajnerin Josa, dalin disa probleme të mëdha, pasi bëhet fjalë për futbollistë shumë të rëndësishëm që mungojnë dhe që i prishin jo pak planet për ndërtimin e formacionit, me mesfushën kryesisht që duket e zbrazur me mungesën e Jonuzit, Heriç apo edhe të Boshnjakut.
Maringlen ZHIVANI