E gjithë Europa është goditur nga koronavirus dhe thuaje në çdo vend në kontinent janë vendosur masa shumë të rrepta për të parandaluar shpërndarjen e virusit të rrezikshëm. Një prej masave është ndalimi i plotë i stërvitjeve në klubet e futbollit.

Por në Bullgari, ka dalë në skenë fakti se klube të veçanta nuk po e zbatojnë udhëzimin e qeverisë për të bërë vetëm stërvitje individuale dhe jo në grupe.

Sipas mediave bullgare, klubet e Lokomotiv Plovdiv dhe CSKA Sofje, kanë thyer këto rregulla duke bashkuar futbollistët në stërvitje në mënyrë të fshehtë, edhe pse nuk bëhet fjalë për stërvitje 100% të mirëfillta, përsëri ato bien ndesh me urdhëresat shtetërore.

Për këtë arsye, kryeministri bullgar, Bojko Borisov, në konferencë për shtyp i ka kushtuar në vëmendje të veçantë dhe kësaj teme.

“Nëse skuadrat e futbollit stërviten, atëherë duhet që të ndëshkohen. Federata duhet të ndërhyjë”, ishte paralajmërimi i tij i qartë se nëse futbolli nuk respektonte rregullat që ishin vënë për të gjithë, atëherë do t’i nënshtrohej ndëshkimeve që ishin caktuar për të gjithë.