Struktura e kampionatit të ri është çështja e ditës në Kategorinë e Parë, ku FSHF-ja po mendon edhe variantin me një grup me 16 skuadra, pas përjashtimit të Elbasanit dhe Erzenit, që nuk janë licencuar, por që kanë apeluar. “Panorama Sport” sjell qëndrimet e të gjitha klubeve të së Parës në lidhje me formulën më të mirë dhe më efikase të kampionatit, sipas këndvështrimit të tyre. Duhet thënë se dominon dëshira për një garë me një grup të vetëm.

Për kë variant janë pro 10 klube, 4 janë klubet që duan skemën e mëparshme, 3 klubet që pranojnë të dyja variantet e mundshme dhe Flamurtari që nuk ka një qëndrim të qartë për këtë çështje, por kërkon që ndryshimi të fillojë nga Superiorja. Ja dhe qëndrimi i 16 klubeve të Kategorisë së Parë me anë të drejtuesve të tyre:

SINAN IDRIZI (administratori i Flamurtarit): “Pse pyesni për Kategorinë e Parë? Pse nuk thoni për Superioren që është 10 ekipe? Favorizohen 3-4 ekipe, ato që janë të kryeqytet, dhe kaq. Nuk ndryshojnë ‘10 urdhëresat e Zotit’ në Bibël të dhëna nga Moisiu. Të financohet sporti dhe Superiorja me 10 ekipe, kjo është mënyra më ordinere. Me dy ekipe ndahet çdo gjë, bëjeni me një ekip kampionatin dhe jemi në rregull, por nuk është logjike. Themi nga një anë ligj për sportin, nga ana tjetër kemi ngushtim të Superiores me 10 ekipe. Ja e bëmë Kategorinë e Parë me 9 apo me 14, çfarë zgjidhëm? Ndani Superioren, pastaj të Parën”.

ILIR GJYLA (trajneri i Lushnjës): “Jam i mendimit për një grup. Më pëlqen vendimi i fundit i FSHF-së për një grup. Më pëlqen, sepse dalin në pah forcat e skuadrës, të gjitha skuadrat ndeshen me njëratjetrën. Dhe normal që skuadrat që dalin të parat janë më të mirat, sepse janë provuar ndaj çdo kundërshtari”.

NEXHAT BIZHDILI (presidenti i Besës): “Për ne pak ka rëndësi se si do të luhet kampionati, me një apo dy grupe. Ne jemi të qartë dhe të vendosur për rikthimin në Superiore dhe kjo është e rëndësishme”.

ISMET AJAZI (administrator i Tomorit): “Po e ndjekim me interes situatën dhe mbështesim çdo nismë në dobi të zhvillimit të futbollit. Si Tomor, jemi pro strukturës me dy grupe jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe atë ekonomik. Dy grupe me 9 skuadra vlen për një rivalitet të ndershëm sportiv në një zonë të caktuar. Ndarja në dy grupe ndihmon ekonomikisht, pasi s’kemi pse të shpenzojmë duke udhëtuar larg si në Koplik, Burrel apo Peshkopi

KOPI GUSHO (drejtori ekzekutiv i Pogradecit): “Për ne nuk do kishte rëndësi të veçantë, por duke e parë në një këndvështrim më të thellë, do jepnim votën për një grup. Argumentimi im lidhet me disa faktorë, ku cilësia së pari do ishte më e madhe, pasi ka më shumë konkurrencë dhe luftë për Superioren. Infrastruktura po ashtu është një faktor. Nuk duam të kemi një ndarje si deri sot. Besoj se shumica e ekipeve janë për këtë formulë”.

ERMAL BARUSHI (administrator i Dinamos): “Duke e njohur garën mjaftueshëm, sistemi vajtjeardhje do ishte më i përshtatshëm, pra një grup me 16/18 skuadra. Kështu kemi edhe një shtrirje të aktivitetit në tërësi nga Veriu në Jug, ku dhe skuadra me traditë do kishin mundësi të ktheheshin pas në kohë. Në aspektin ekonomik lëvizjet janë më të gjata dhe shpenzimet më të mëdha. Nëse shihet i arsyeshëm ndryshimi, duhet një formulë për ngjitjen në Superiore të më shumë se 4 skuadrave, e njëjta gjë edhe për zbritjen një kategori më poshtë. Në këtë mënyrë, skuadrat që mund të pozicionohen në mesin e tabelës dhe dalin nga objektivi, të mos bëjnë dhurata në fund”.