Sipas gazetës gjermane “BILD”, autoritetet shëndetësore të qytetit gjerman Leipzig kanë dhënë miratimin për hapen e dyerve të “Red Bull Arenas” për ndeshjen kundër Mainzit, e planifikuar për t’u zhvilluar më 20 shtator, për javën e parë të kampionatit të Bundesligës për sezonin 2020-2021.

Të pranishëm në stadium do të jenë 8.400 tifozë, që korrespondon me 20% të kapacitetit.

Biletat për të marrë pjesë në këtë sfidë do të shpërndahen mes 22.500 të abonuarve, që do të thotë se nuk do të ketë bileta në shitje.

Për më tepër, vetëm tifozët që banojnë në Saksoni mund të marrin pjesë në shortin e ndarjes së biletave.

Miratimi erdhi në bazë të shkallës aktuale të infeksionit në qytet, i cili ka rreth 600.000 banorë.

Kampionati gjerman do të jetë ndër të parët në Europë që do të lejojë publikun të jetë i pranishëm në stadiume në epokën e COVID-19.