Edhe për ndeshjen e rradhës, atë me Besën e Kavajës që do të luhet ditën e shtunë në stadiumin “Loro Boriçi” në orën 14.00, klubi I futbollit Vllaznia do të aplikojë çmime të ulëta të biletave për tifozët. Siç është bërë e ditur prej tij, një biletë në tribunën qendrore do të kushtojë vetëm 2 mijë lekë të vjetra, ndërsa në tribunën përballë, çmimi do jetë vetëm 1 mijë lekë të vjetra. Duket qartë se kemi të bëjmë me një çmim simbolik e kjo bëhet me qëllim afrimin e tifozëve sërish pranë skuadrës ashtu siç ndodhi në ndeshjen e kaluar me Partizanin ku të pranishëm në stadium ishin mbi 6 mijë tifozë. Prania e tifozëve në “Loro Boriçi” në këto ndeshje të fundit të kampionatit konsiderohet e domosdoshme sepse Vllaznia vetëm ato ka aleatë në një kampionat me shumë aleanca dhe probleme. Megjithatë për skuadrën shkodrane në pragndeshjen me Besën ka patur disa probleme dëmtimesh të futbollistëve. Përveç Bushiç që është në dyshim për të luajtur në këtë takim si rrjedhojë e dëmtimit të pësuar në ndeshjen e fundit në Ballsh, probleme në këtë ndeshje ka shfaqur edhe mbrojtësi Sykaj. Dy të dëmtuarit e tjerë, Bardulla e Gocaj, janë ende në fazën e rikuperimit dhe nuk dihet nëse do mund të jenë të gatshëm për ndeshjen e së shtunës. Atyre u është shtuar edhe Kraja I cili edhe ai ka disa shqetësime prandaj në kushte të tilla, problemet për stafin teknik shtohen edhe më tepër megjithatë ka besim se mund t’ia dalin për të fituar ndaj kavajasve dhe për t’u ngjitur ndoshta edhe një vend në renditje në prag të ndeshjeve të fazës së tretë të kampionatit.
© shkodrasport.com