E premtja pasdite do të dhurojë një supersfidë në kampionatin kombëtar të basketbollit për meshkuj. Në pallatin e sportit të Kamzës, do të ndeshen Vllaznia kryesuese e kampionatit me Kamza Basket që mban vendin e dytë në renditje. Kjo do jetë një përballje e vlefshme për javën e 15-të të kampionatit dhe do të nisë në orën 19.00. në fakt, ky takim nuk është se vendos përfundimisht fatin e vendit të parë ngaqë shkodranët janë të shkëputur në renditje dhe e kanë siguruar atë megjithatë mbetet një betejë e vërtetë rivalësh që do kërkojnë të mundin njëri –tjetrin, duke shërbyer si nxemje në prag të ndeshjeve të plej- ofit. Trajneri I Vllaznisë Bledar Gjeçaj në këtë pragndeshje sigurisht që shprehet entuziast për skuadrën e tij pavarësisht disa problemeve që ka me dëmtimet e disa sportistëve. Kështu slloveni Sarajlija ende nuk është në formën e tij më të mirë ndërkohë që janë dëmtuar edhe Shestani e Huti. Pavarësisht këtyre problemeve kuqeblutë do jenë të vendosur për të synuar fitoren. Një fitore që do ishte e 15-ta në po kaq ndeshje të luajtura dhe që do të krijonte më shumë besim tek basketbollistët shkodranë se janë të pathyeshëm. Megjithatë e rëndësishme është që skuadra po reagon mirë, po luan me shumë përqendrim dhe tashmë titulli kampion është gjithnjë e më pranë. Megjithatë pa shkuar tek plej- ofi, më parë duhet kaluar sfida e së premtes pasdite me ekipin Kamza Basket. 
© shkodrasport.com