
Ndërpritet bashkëpunimi në mes Klubit të futbollit Vllaznia dhe futbollistit Klodian Semina. Palët kanë rënë dakord për prishjen e kontratës që ka qenë firmosur në verën e këtij viti mes tyre dhe tashmë futbollisti është i lirë. Lajmi konfirmohet nga vetë klubi shkodran përmes faqes zyrtare të tij. Në fakt, një ditë më parë nga ana e drejtuesve të klubit u mor vendimi për pezullimin pa afat të këtij futbollisti për shkak të thyerjes së disiplinës dhe rregullores së brendshme të klubit. Njëkohësisht, atij iu komunikua vendimi për t’u stërvitur gjatë kësaj periudhe me ekipin e të rinjve. Ndërkohë sot palët janë ulur sërish në tavolinë për të biseduar dhe në fund kanë arritur konsensusin për zgjidhjen e kontratës me mirëkuptim. Në kushte të tilla, Semina ka marrë leje- kalimin mesditën e sotme në zyrat e klubit dhe tashmë do të nisë përpjekjet për gjetjen e një skuadre të re. Në të vërtetë ai edhe gjatë janarit tentoi të bënte këtë gjë duke u provuar fillimisht në Sllovaki dhe më pas në Gjermani por pa arritur dot të firmosë. Vllaznia kësisoj nga dita e sotme duhet t’i bëjë planet pa këtë futbollist.
© shkodrasport.com