Sauthempton ka marrë një fitore historikë në fushën e Totenhem, me Armando Brojën protagonist duke shënuar një gol në suksesin 3-2. Por sulmuesi shqiptar ishte protagonist edhe i episodit më të diskutuar të ndeshjes.

Kur shifrat ishin 1-1, Emerson Rojal bëri një faull të rëndë ndaj tij duke nisur aksionin nga i cili lindi goli i 2-1 të përkohshëm të Son. Kjo ngjarje solli kaos pasi lojtarët e Sauthempton pritën që të anulohej goli, sepse faulli ishte i dukshëm.

Por për çudinë e të gjithëve, gjyqtari dhe VAR nuk e anuluan dhe Totenhemi do t’i gëzohej për pak minuta avantazhit, pasi ndeshja më pas u përmbys me dy gola nga miqtë.

Pikërisht këtë episod desh të kujtonte edhe Sauthempton pas sfidës. “Asgjë nuk na ndalte sonte’, shkroi klubi anglez në rrjetet sociale, duke postuar foton e faullit të Rojal ndaj sulmuesit shqiptar.