Një nga talentet më të mëdha shkodranë të viteve të fundit dhe që bëri emër në futbollin shqiptar. Po flasim për Armando Vajushin që dëmtimet e shumta e penalizuan shumë gjatë karrierës së tij. Por, sulmuesi teknik vazhdon të shënojë, pavarësisht larg kampionatit shqiptar dhe larg Shkodrës.

Së fundmi ai ka gjetur dy herë rrugën e rrjetës me ekipin e Petrolul në ligën e dytë rumune. Ish-futbollisti i Vllaznisë ka qenë i saktë dy herë nga pika e 11 metërisht në ndeshjen e fundit të skuadrës së tij kundër Calarasi. Skuadra e Petrolul triumfoi në shifrat 4-1, ku shkodrani ishte protagonisti kryesor.

Ky ishte goli i 6-të për Vajushin në këtë sezon duke qenë golashënuesi i dytë më i mirë i ekipit të tij dhe një ndër më të mirët e kampionatit. Petrolul kryeson në kuotën e 36 pikëve pas 13 javësh të luajtuara. Vajushi së bashku me skuadrën e tij duket se do jetë në elitën e futbollit rumun sezonin që vjen.

29-vjeçari pavarësisht vështirësive që ka kaluar tregon se mbetet një lojtar klasi dhe një nga më të mirët që ka prodhuar Superliga në 10-15 vitet e fundit. Tashmë ndoshta është momenti për një tjetër lëvizje në karrierën e bjondit teknik që gjithmonë do bie në sy për fintet dhe golat e tij.
Endri ÇINARI