Kapiteni i Vllaznisë, Gilman Lika, që me golat e tij ishte vendimtar në sezonin e shkuar, madje duke qenë golashënuesi më i mirë i skuadrës, aktualisht e shikon veten larg kuqebluve. Mesa duket, mesfushori po kërkon një aventurë të re në Superligën e Kosovës.
Nga sa mësohet, skuadra e Gjilanit e drejtuar nga trajneri vlonjat, Gentjan Mezani, ka hedhur “grepat” për mesfushorin. Në një prononcim për mediat kapiteni shpjegon edhe arsyet pse nuk pranoi ofertën e drejtuesve shkodranë. 33- vjeçari nuk e ka atë optimizmin që e ka karakterizuar për të shikuar një Vllazni më konkurruese në sezonin e ri. Me aq sa po ofrojnë drejtuesit e rinj, për Likën është e vështirë të gjesh lojtarë cilësorë.
Lika, flitet se keni marrë një ofertë nga Vllaznia. Si është e vërteta?
Po, është e vërtetë që kam marrë një ofertë nga Vllaznia dhe për këtë i falënderoj të gjithë për besimin që më kanë dhënë, që nga kryebashkiakja Ademi, administratori, drejtuesit e rinj, lojtarët edhe të gjithë tifozët që më kanë respektuar. Jam i qetë, sepse i kam respektuar edhe unë, duke qëndruar në Kategorinë e Parë me këtë skuadër. E vërteta është që kam marrë një ofertë, e cila është shumë larg asaj që unë kam dhënë e do që jap në fushën e lojës.
Tregu kosovar me sa duket po bën që edhe ju të kontaktoheni nga skuadrat andej. Cili klub ka shprehur interesin për ju?
Është e vërtetë që kam pasur kontakte, por të them të drejtën, kisha dëshirë të qëndroja në Shkodër, por gjithmonë nëse do të kishim një ekip që do të luftonim për Europë.
Si e shikoni këtë start të punës te Vllaznia, ku në stërvitjen e parë kanë dalë vetëm 12 lojtarë?
E shikoj shumë të vështirë, për të qenë i sinqertë dhe për të thënë të vërtetën.
Nga kontaktet me drejtuesit po flitet për të ndërtuar një skuadër me fytyrë tjetër, apo e shikoni sërish të vështirë për të bërë atë Vllazninë që edhe ju prisni?
Ideja ishte që të ruhej 70- 80% e grupit edhe ekipi të forcohej me 5-6 blerje cilësore. Në këtë mënyrë, do të konkurronim pa frikë për një vend në kupat e Europës.
A është sërish vonë Vllaznia, apo ka kohë për sezonin e ri?
Është vonë, por situata mendoj se është më problematike se kurrë, sepse edhe ata lojtarë që kanë mbajtur peshën vitin që kaloi, po largohen. Duke u bazuar tek oferta që më kanë dhënë edhe mua, ju them që është shumë e vështirë me aq lekë që të vijnë lojtarë cilësorë. Prandaj them që e shikoj shumë të vështirë, vetëm shpresoj që të bëhet më e mira. Dhe e uroj me gjithë shpirt këtë gjë.
Nëse do të ketë një këmbëngulje të drejtuesve kuqeblu për ju, do të linit planet kosovare dhe t’i ktheheshit ofertës së Vllaznisë?
Po e theksoj përsëri që dëshira ime ishte të luaja sërish në Shkodër. E kisha si ëndërr që me këtë ekip të luaja edhe njëherë në kupat e Europës. Kjo dëshirë vjen pasi dua të kontribuoj për qytetin tim, me ekipin që jam tifoz. Nuk do të kishte gjë më të bukur. E respektova këtë ekipi dhe këtë emër në Kategorinë e Parë. Për ata që më kritikuan, ju tregova se në Shqipëri bëj diferencën në rolin tim. Cilësitë dhe statistikat e mia janë për të luajtur me ekipe për vendet e para dhe ju kërkoj të falur, por nuk mund të luaja më për mbijetesë.