Gentian Muça ditën e djeshme zyrtarizoi në mënyrë surprizë largimin ngë Tirana, klubi i zemrës së tij, në të cilin kaloi momentet më të rëndësishme të karrierës dhe jetës. 33-vjeçari nuk e kishte të garantuar vendin në formacionin e Egbo, me këtë të fundit, që është më i përqëndruar te talentet.

Edhe pse kishte rinovuar edhe për një vit këtë verë, klubi vendosi ta lërë të lirë Muçën, i cili së fundmi ishte spostuar disi nga ekipi, kur Batha u bë kapiten i parë e Çelhaka kapiten i dytë.

Shenjat ishin dhënë dhe dje gjithçka u thye. Burime të ndryshme raportojnë se Muça javë më parë ka refuzuar një ofertë të Vllaznisë, teksa mbrëmjen e djeshme është zbuluar edhe klubi i tij i ri.

Tiranasi ka vendosur në ndërrojë vetëm kryeqytet dhe stemë. Ai do të jetë pjesë e skuadrës së Prishtinës. Këtë lajm e ka konfirmuar edhe presidenti i Prishtinës, Remzi Ejupi.

Ky i fundit i ftuar në emisionin “Zona Gol” në “Supersport” pranoi se është në bisedime për të transferuar Muçën dhe po zhvillohen bisedimet e fundit, teksa shumë shpejt do të bëhet zyrtare. /vipsport/