
Që nga dita e hënë e javës që vjen, kombëtarja shqiptare e boksit do të grumbullohet në Shkodër. Bëhet fjalë për ekipin që do të përfaqësojë vendin tonë në Lojërat Mesdhetare. Pjesë e këtij ekipi siç dihet do jenë katër boksierët e Vllaznisë, tre shkodranë Kristian Shytani, Kristian Demaj dhe Nelson Hysa si dhe vlonjati Rexhildo Zeneli. Bashkë me ta do të jetë edhe trajneri I kombëtares sonë Zef Gjoni. Lajmi është bërë I ditur nga drejtues të Federatës Shqiptare të Boksit. Në fakt, ky është grumbullimi I dytë për boksierët tanë pasi pak ditë më parë, dy prej tyre, pikërisht Rexhildo Zeneli dhe Kristian Demaj kanë qenë në Francë ku kanë zhvilluar një stërvitje intensive në kampin olimpik francez bashkë me sportistët e këtij vendi por edhe të vendeve të tjera. Sipas trajnerit Gjoni, objektivi I kësaj kombëtareje për Lojërat e Mesdheut do jetë marrja e një medalje. Forma e sportistëve aktualisht është shumë e mirë dhe natyrisht që duhet shpresuar edhe tek një short I favorshëm. Rexhildo Zeneli do të konkurrojë në peshën 56 kilogramë, Kristian Shytani në 64 kilogramë, Kristian Demaj në 81 kilogramë dhe Nelson Hysa në peshën + 91 kilogramë. Të katër këta sportistë I kanë shanset dhe mundësitë për të hyrë në zonën e medaljeve. Lojërat Mesdhetare këtë vit siç është bërë e ditur, do të zhvillohen në Mersin të Turqisë dhe ndeshjet e boksit do jenë në datat 21- 26 qershor. Grumbullimi I kombëtares sonë në Shkodër do të zgjasë rreth 3 javë dhe menjëherë më pas sportistët dhe trajneri I tyre do nisen drejt Turqisë me shpresën e madhe të arritjes së objektivit.
www.shkodrasport.com