Tjetër gol për Hamdi Salihin. E ka bërë edhe sot këtë gjë duke shënuar, madje një gol shumë të rëndësishëm për skuadrën e tij Jiangsu Sainty. Kjo ngaqë ndeshja ndaj ekipit Hangzhou po shkonte në barazim 1-1 dhe pikërisht në minutën e 93-të, ai ka shënuar golin e dytë dhe të fitores për skuadrën e tij. Ka qenë një kros nga krahu i djathtë i njërit prej lojtarëve të skuadrës së tij, portieri kundërshtar kishte dalë nga porta dhe 29 vjeçari shkodran ka goditur saktë me kokë duke e dërguar topin në rrjetë. Ky është goli i gjashtë i Salihit në këtë kampionat për Jiangsu ose e thënë ndryshe, gjysma e golave të kësaj skuadre sepse ajo ka shënuar 12 të tillë në po aq ndeshje kampionati. Në këtë mënyrë, me këto gola, Salihi po tregon edhe njëherë tjetër se mbetet një blerje e goditur për të.


Me fitoren e sotme, Jiangsu ka ngjitur edhe një shkallë në tabelën e renditje duke qenë kështu për momentin në vendin e tetë. Ajo nuk i ka bërë një nisje të mirë kampionatit gjithsesi Salihi e ka kryer në mënyrën më të mirë të mundshme detyrën e tij duke shënuar. Goli i sotëm konfirmon formën shumë të mirë të tij pikërisht në prag të ndeshjes shumë të rëndësishme të kombëtares sonë të premten e ardhshme ndaj Norvegjisë. Të shpresojmë se ai e ka ruajtur një gol edhe për nordikët.

 

www.shkodrasport.com