Tre boksierë të Vllaznisë që janë pjesë e kombëtares shqiptare, janë nisur paraditen e së premtes drejt Rumanisë për të marrë pjesë në Kampionatin Europian të 22 vjeçarëve që zhvillohet atje.

Të shoqëruar nga trajnerët Zef Gjoni e Jozef Sermi, ata do të tentojnë të futen në zonën e medaljeve dhe kjo padyshim që do të ishte një arritje historike për boksin shqiptar.

Krenar Zeneli do të konkurrojë në peshën e tij të zakonshme, atë 56 kilogramë dhe do të tentojë të bëjë më mirë se një vit më parë. Në Kampionatin e vjetshëm siç dihet, ai u rendit në vendin e pestë në Europë. Sivjet ka objektiva më të mëdha, për t’u ngjitur në podium.

Të njëjtin pretendim ka edhe boksieri shkodran Arjon Kajoshi që do të konkurrojë në peshën 75 kilogramë.

Vendi I shtatë I arritur kampionatin e kaluar e ka motivuar atë të përgatitet edhe më mirë për ndeshjet e sivjetme në Rumani.

Kajoshi ka muaj që përgatitet për këtë eveniment të rëndësishëm dhe tashmë ka ardhur momenti të provojë veten. Boksieri I tretë që do të marrë pjesë në këtë Europian është 20 vjeçari Albert Kapaj.

Ai do të konkurrojë në peshën e rëndë, + 91 kilogramë dhe padyshim që do të tentojë të bëjë një paraqitje sa më të mirë.

Trajneri I kombëtares shqiptare Zef Gjoni, përpara nisjes për në Rumani, për televizionin Rozafa është shprehur optimist për paraqitjet e boksierëve tanë dhe sidomos për Kajoshin e Zenelin.

Dy sportistë të cilët sot për sot, përbëjnë elitën e boksit shqiptar dhe nëse ia dalin të marrin medalje në këtë kompeticion të rëndësishëm, do të shkruajnë padyshim historinë e këtij sporti I cili deri më tani ka arritur të marrë medalje deri për moshën 18 vjeç.
© shkodrasport.com