I shpëtoi akuzave për manipulim ndeshjesh por Presidenti i Olimpiakos, miliarderi grek Vangelis Marinakis, nuk i shmanget dot drejtësisë greke, këtë radhë i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge.

Marinakis kishte dhënë dorëheqjen nga drejtimi i klubit grek derisa të sqarohej situata me çështjen e trukimit të ndeshjeve në Greqi, pasi kishte akuza të shumta se organizonte manipulimin e rezultateve për të nxjerrë kampion Olimpiakos.

Por ndërsa ai po përgatitej të kthehej në detyrë, ndërsa mbante postin e presidentit të skuadrës angleze Notingem Forrest, për të është ngritur një akuzë e re.

Prokurori i Pireut, Eirini Tziva, ka bërë të ditur se është hapur hetim zyrtar ndaj Marinakis, duke e cilësuar atë personazh me një rol qendror në çështjen ndërkombëtare të anijes “Noor 1”.

Kjo e fundit u ndalua në portet greke e mbushur me lëndë narkotike, ndërsa Marinakis akuzohet bashkë me tre persona të tjera për trafikim droge dhe financimin e një aktiviteti të tillë për të ndërtuar rrjet kriminal.

Droga duhej të kalonte nëpërmjet Shqipërisë dhe Kosovë për t’u shpërndarë në Europën Perëndimore.

Marinakis i ndalohet të dalë nga territori grek, ndërsa do të duhet që të lërë përsëri në mëshirë të fatit Olimpiakosin, i cili mund të përfundojë në krizë edhe më të thellë se sa është tani për shkak të problemeve të vazhdueshme të pronarit të tij. /vipsport/