Gjithçka gati për Memorialin e 10-të ndërkombëtar të boksit “Vllaznia 2013”. Kombëtarja shqiptare ka ditë që është grumbulluar në hotel “Argenti” ndërkohë që stërvitet intensivisht nën drejtimin e trajnerëve Zef Gjoni, Skënder Kurti dhe Jozef Sermi. Federata Shqiptare e Boksit ka bërë përzgjedhjen e sportistëve më të mirë të vendit që do të përfaqësojnë kombëtaren tonë në këtë aktivitet shumë të rëndësishëm ku siç dihet do marrin pjesë boksierë nga 13 vende të botës. Mbërritja e këtyre të fundit do të bëhet ditën e enjte ndërkohë që ndeshjet e ditës së parë do të nisin të premten pasdite. Pritet një interesim i madh ashtu si dhe vitet e tjera nga ana e sportdashësve shkodranë teksa natyrisht që do ketë edhe sfida shumë interesante ngaqë edhe sivjet do jenë pjesmarrës boksierë të cilët janë edhe kampionë botë dhe Europe. Ndërkohë edhe kombëtarja jonë ka pretendimet e veta. Trajnerët e saj e kanë kompletuar çdo peshë me sportistin përkatës ndërkohë që dy ditët e fundit është bashkuar me ta në stërvitje edhe Kristian Demaj që i dha fund kontratës me ekipin Mexico Guerreros dhe tashmë do jetë i gatshëm për të kërkuar medaljen e artë në “Vllaznia 2013”. Aq më tepër që ky është një përvjetor i veçantë i këtij Memoriali. “Jemi përgatitur intensivisht gjatë gjithë kësaj periudhe për këtë aktivitet. Pavarësisht se do ketë një konkurrencë të madhe, jam i bindur se nuk do të dalim pa medalje nga ky Memorial”- ka thënë pasditen e sotme për gazetën online www.shkodrasport.com trajneri i kombëtares shqiptare Zef Gjoni.
Gjergj KOLA