Kombëtarja u-19 për femra e Shqipërisë do zbresë sot në orën 12:00 në fushën e lojës për tu përballur me Andorrën. Një takim ky i vlefshëm për grupin 3 të ligës B për kualifikueset e europianit.

Vajzat kuqezi të drejtuara nga trajneri i njohur shkodran, Kreshnik Krepi kërkojnë për një tjetër rezultat pozitiv pas barazimit 0-0 kundër Moldavisë në ndeshjen e parë.

Ambienti duket se gëzon një humor dhe një gjendje sportive shumë të mirë, ku pas pikës në takimin e parë entuziasmi është shtuar.

Trajneri Krepi duket se ka ndërtuar një skuadër shumë të fortë dhe dinjitoze, ku edhe sot do kërkohet një tjetër rezultat pozitiv. Duke parë edhe nivelin e kundërshtarit asgjë nuk është e pamundur.

Pas kombëtares së parë të drejtuar nga trajneri tjetër shkodran, Armir Grima që fituan mbrëmë në shifrat e thella 4-0 kundër Armenisë, tani rradha është për kombëtaren e Krepit që do kërkojë triumfin njësoj si homologu i tij.
Endri ÇINARI