Ekipi i Kombëtares së Shqipërisë U-15 do të zbresë në fushë së shpejti për të matur forcat në turneun ndërkombëtar, që do të zhvillohet në Bosnjë-Hercegovinë, për këtë grupmoshë në datat 3 deri më 5 maj.
Kombëtarja e Shqipërisë U-15 ka nisur grumbullimin nga dita e sotme në Durrës, teksa ditën e djeshme trajneri i skuadrës, Armand Dama ka bërë publike listën me 22 lojtarët e grumbulluar për këtë turne, ku 14 prej tyre luajnë në kampionatin shqiptar, ndërsa 8 prej tyre aktivizohen me klubet e huaja si Barcelona dhe Tottenham.
Po ashtu, pjesë e listës së lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet e këtij turneu, është edhe sulmuesi i Akademisë Vllaznia, Jonis Volumi.
Fillimisht, kuqezinjtë e trajnerit Armand Dama, në ndeshjen e parë do të përballen me Bosnjë–Hercegovinën më 3 maj, në ora 17:00, teksa mbetet për t’u parë se si do të shkojnë ndeshjet e tjera në këtë turne, për të mësuar kundërshtarin tjetër të Shqipëria U-15.
Maringlen ZHIVANI