Partizani vijon prej kohësh punimet në kompleks. Megjithëse tashmë skuadra stërvitet atje, ka ende nevojë për rregullime. Pjesa më e madhe e punimeve janë përqendruar te stadiumi, ku kërkohet një pamje sa më e kuruar.

Së fundmi në stadium ka përfunduar vendosja e barrierave metalike në tribunën përballë. Gjithashtu po punohet edhe për vënien në punë të impiantit të ndriçimit, që është shumë i rëndësishëm, pasi më pas skuadra do të mund të stërvitej edhe në orët e vona të pasdites apo në darkë.

Në këtë drejtim ka zhvillime pozitive, pasi në secilën prej katër kolonave janë vendosur kabinat elektrike dhe mungojnë vetëm disa detaje, që stadiumi i Partizanit të mund të ketë ndriçim.

Në stadium, ndërkohë që skuadra stërvitej dje, po punohej për instalimin e një konstruksioni hekuri në pjesën pas portave, ku do të vendosen banera me reklama, nga të cilat klubi do të ketë mundësinë të marrë një shumë të konsiderueshme parash. Ndërkohë, nga dita në ditë pritet të vijnë karriget e tribunës VIP, teksa po punohet edhe në ambientet e brendshme, ku do të ndërtohet një bar.