Serxhio Ramos është një nga mbrojtësit që ka shënuar më shumë gola në historinë e futbollit botëror e sidomos kur bëhet fjalë për penallti, ku ai është thuajse i pagabueshëm.

Këtë e tregoi edhe sot në pjesën e parë të ndeshjes së Real Madrid përballë Gallatasarajit, kur dërgoi topin në rrjetë me një “panenka” perfekte për të mposhtur Muslerën.

Ky ishte goli i 13 në Champions për lojtarin me fanellën e Realit, duke barazuar Van Nistelroi në këtë listë, ndërsa me 87 golat me Real Madrid, ka shkuar në vendin e 24-t të golashënuesve të të gjitha kohëve për klubin spanjoll.

Më mbresëlënëse sot ishte statistika e frikshme sipas të cilës ai ka shënuar të 16 penalltitë e fundit që i janë akorduar, me klubin apo kombëtaren, ndërsa deri tani ka realizuar saktësisht 9 “panenka” në karrierë.

Megjithatë, sot në stadium tifozët nuk donin që Ramos të ishte ai që gjuante nga pika e bardhe, pasi i hoqi mundësinë talentit Rodrigo të shkruante një rekord historik. I gjithë publiku kërkoi që ai t’i jepte topin djaloshit të ri, por Ramos vendosi të gjuante vetë.

Nëse Rodrigo do të gjuante dhe do të shënonte, do të vendoste rekordin e ri për tregolëshin më të shpejtë në historinë e turneut. I mëparshmi ishte vendosur në vitin 1996 nga Marko Simone, në minutën e 24-t të një ndeshje mes Rosenborg dhe Milanit.

Penalltia e sotme ishte në minutën e 14 dhe Rodrigo do të vendoste një rekord i cili praktikisht do të ishte e vështirë të thyhej nga ndokush tjetër. /vipsport/