Xhenaro Gatuzos iu deshën 12 orë udhëtim me makinë dhe një orë bisedë me De Laurentis për të pranuar ofertën e Napolit, por kur ka shkuar puna për të hedhur firmën në kontratë, për përpilimin e marrëveshjes mes klubit dhe trajnerit, është dashur pak kohë.

Kjo pasi palët kanë rënë menjëherë dakord për parametrat financiarë, por më pas ka nisur një diskutim i gjerë rreth bonuseve të ndryshme në bazë të arritjeve të klubit.

Kështu, në kontratë parashikohet që Gatuzo do të përfitojë 750 mijë euro deri në qershor dhe dyfishin e kësaj shume në sezonin pasardhës nëse arrin të rinovojë automatikisht duke siguruar vendin e katërt dhe pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve.

Kontrata është depozituar në Ligën e Futbollit në Itali, por vetëm pjesa e parë e saj, pasi pjesa tjetër me 12 faqe që janë cilësuar private, shërbejnë si marrëveshje personale mes Gatuzos dhe presidentit De Laurentis.

Në këto 12 faqe ka klauzola të shumta sa i përket skuadrës, sjelljes, objektivave, kualifikimeve në ture të ndryshme në Europë apo trofeve kombëtarë e ndërkombëtarë për të cilët është në garë Napoli. Gjithçka ka bonuse por edhe penalitete nëse dëmtohet imazhi i klubit.

Kontratë e cila nuk ka përfunduar në Ligën e Futbollit që të mos bëhej publike për mediat, por që konfirmon gjithsesi se në këto 6 muaj, apo ndoshta një vit e gjysmë, Gatuzo do të jetë para një prove të mirëfilltë si në asnjë vend tjetër ku ka qenë më parë e ndoshta vetëm grinta e zakonshme nuk do të mjaftojë. /vipsport/