Basketbolli do të nisë për pak kohë edicionin e ri, ku klubet kanë bërë merkato dhe riorganizimin e tyre në përputhje me objektivat që kanë, por të paktën dy elementë duhen evidentuar pozitivë. Së pari Liga Unike, një aktivitet që tashmë është i konsoliduar me pjesëmarrjen e 8 ekipeve, katër nga Shqipëria e katër nga Kosova për meshkuj dhe tre ekipe nga Shqipëria dhe tre nga Kosova për femra. Një aktivitet që jo vetëm ka cilësi, por shton numrin e ndeshjeve për ekipet elitare dhe kjo është gjë e mirë për sportistët.

Së dyti, përmirësimi i disa treguesve të shtatlartësisë, përmirësimit të teknikës dhe shtimit të të rinjve në gjirin e skuadrave të para shënon një kthesë të madhe pozitive. Kjo i jep vazhdimësi basketbollit tonë dhe këtë e kanë dëshmuar edhe ndeshjet e ekipeve kombëtare të moshave në veprimtaritë europiane të verës. Për të folur rreth këtyre zhvillimeve dhe pritshmërive, intervistuam Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Basketbollit, ish-sportistin e ish-trajnerin Korab Llazani, i cili dha opinionin e tij në prag të startit të sezonit të ri.

– Kohët e fundit qeveria po diskuton me aktorët e sportit për rikthimin e basteve, si një mundësi për të pasur më shumë të ardhura për sportin. A ka federata juaj ndonjë platformë në këtë drejtim?

– Nisma është e kohëve të fundit, janë bërë disa dëgjesa por, nuk ka një vendim e për sa kohë nuk ka një vendim s’mund të shprehem. Është një çështje përtej federatës tonë, ajo i përket strukturave shtetërore. Ç’do e ardhur në drejtim të sportit është pozitive dhe e nevojshme. Unë personalisht kam qenë dhe jam për një ndërhyrje sa më të shpejtë dhe përmirësim të ligjit për sponsorizimet. Përmirësimi i këtij ligji do të ishte garanci për financime të qëndrueshme dhe garanci për zhvillimet e shpejta në sport. Kjo është një temë që ende po diskutohet në trajtën e këshillimeve me aktorë të sportit etj.


– Një tjetër çështje që ngjall interes është Liga Unike. Së shpejti nis edicioni i ri, çfarë surprizash do të kemi këtë sezon?

Ne jemi në prag të nisjes së edicionit të ri të Ligës Unike, jemi në fazën e plotësimit të dokumentacionit. Formula është po ajo, pra katër ekipe nga Shqipëria e katër nga Kosova. Pasi të vijë dokumentacioni i plotë i ekipeve do të diskutohet për ekipet pjesëmarrëse. Kemi Tiranën, Vllazninë, Teutën, Kamzën, Apoloninë dhe Eagle Besëlidhja, kjo e fundit një skuadër e re që është ngjitur këtë edicion në Superligë. Kurse nga femrat kemi skuadrat e Flamurtarit, Partizanit, Tiranës, Studentit, Vllaznisë, Elbasani dhe Fierit që kanë konfirmuar pjesëmarrjen, por që duhet të kryejnë plotësimet e tjera të nevojshme.

– Keni menduar për ndonjë impuls në prag të sezonit të ri, ndonjë surprizë organizative?

– Formula e aktiviteteve dhe natyrisht kalendari përcaktohen sipas objektivave vjetorë të federatës dhe këto gjëra janë të përcaktuara. Ne si drejtues federate dhe menaxhues të garës priremi të nxisim aktorët e basketbollit, pra klubet dhe sportistët, të bëjnë më të mirën për të rritur nivelin sportiv, duke dhënë shembuj lehtësimi e motivimi. Sezoni do të nisë me Kupën e FSHB-së, Superkupën Mbarëkombëtare, aktivitet që do të zhvillohet në Mitrovicë dhe që do ta nderojë me pjesëmarrjen e tij Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Botërore, z.Andreas Zagklis. Do të vazhdojë menjëherë kampionati kombëtar me të gjitha kategoritë. Kujtoj që një vit më parë Superkupën për meshkuj e fitoi Ylli. Shpresojmë që Liga Unike ta ruajë e ta përforcojë imazhin e saj si një aktivitet i rëndësishëm i basketbollit në të dy anët shqiptare dhe që të jetë një shans për sportistët të rrisin nivelin e performancës së tyre.


– Ndërkohë, kampionati mbetet themeli i garave të basketbollit. A ka ndonjë ndryshim për sezonin e ri?

– Formula e garës në kampionatin shqiptar të basketbollit është e përcaktuar që më parë. Superliga e meshkujve ka pjesëmarrje me 6 skuadra, kurse Kategoria e Parë ka 5 skuadra. Tek femrat kemi vetëm një kategori. Pra, kemi dy nivele meshkujsh (Superliga dhe Kategoria e Parë) dhe një kategori femrash. Pastaj janë kategoritë e U – 18 (d – v), U – 16 (d – v) që zhvillojnë një kampionat të rregullt me sistem vajte – ardhje, si dhe kategoritë U – 14 dhe U – 12 që zhvillohen në formë turneu.

– Çfarë prisni nga sezoni i ri, flas jo vetëm në aspektin menaxherial?

– Kemi një shqetësim që lidhet me nivelin e financave që skuadrat tona kanë, si dhe ambientet ku skuadrat tona do të zhvillojnë ndeshjet. Veçanërisht në Tiranë në pallatin e sportit “Asllan Rusi”. Ai pritet të shembet e në vend të tij të ndërtohet një pallat i ri. Kjo është një gjë e mirë. Por, problemi ynë është nëse shembet në mes sezoni, atëherë kemi vështirësi ku të luajmë ndeshjet, pasi dihet që në kryeqytet janë të përqendruar shumica e ekipeve të basketbollit. Nëse prishet në mes sezoni atëherë do të ndërlikohen shumë gjërat si për stërvitjen e skuadrave ashtu edhe për realizimin e kalendareve kombëtare. Shpresoj të kemi një zgjidhje që nuk e cenon garën. Ndërsa këtë vit kemi debutues në Superligë skuadrën nga Fieri dhe skuadrën nga Lezha të cilat shpresojmë që të na surprizojnë me performancën e tyre.

– Shumë ekipe tona kombëtare morën pjesë në veprimtaritë europiane të moshave. Si do ta përshkruanit performancën e tyre në tërësi?

– Jemi të kënaqur, s’mund ta fsheh këtë. Korriku ishte një muaj me kalendar të ngjeshur. U zhvilluan 35 ndeshje dhe me kënaqësi mund të konstatoj se rezultatet janë në rritje. Ne tani kemi një ekip kombëtar të rinovuar dhe me pritshmëri të mira. Është rinovuar, gjithashtu, skuadra kombëtare e meshkujve U-20, që u paraqit mirë në Gjeorgji. Kombëtarja U-18 zuri vend të parë në San Marino dhe ajo e moshës U-16 zuri vend të tretë në Prizren.

Nga vajzat Kombëtarja U-18 zuri vend të tretë në Andorra. Me pak fjalë, ishte një progres i rëndësishëm dhe mendimi im është se nuk ka rrugë tjetër zhvillimi veçse të matemi, të luajmë ndeshje ndërkombëtare e të shfrytëzojmë shanset tona. Kemi elementë të mirë që po rriten, elementë shtatlartë, të cilët po marrin edhe eksperiencë ndërkombëtare nëpërmjet këtyre turneve dhe kampionateve europiane të moshave sipas divizioneve përkatëse. Për këtë jemi krenarë si federatë basketbolli, pasi ua kemi krijuar kushtet dhe ua kemi dhënë këtë mundësi veçanërisht të rinjve.

Tashmë, me pjesëmarrjet tona, si dhe me organizimet europiane që kemi marrë përsipër t’i bëjmë në vendin tonë, kemi fituar edhe besimin në FIBA. Ata na kanë besuar që në vendin tonë të organizojmë Konventën Europiane të U – 14. Nga datat 21 – 23 tetor ajo do të organizohet tek ne me përfaqësues nga e gjithë Europa. Ky do të jetë eventi i parë i këtij lloji që zhvillohet në vendin tonë.