Opinion nga Gjergj KOLA

Krahasimi sigurisht që është shumë i largët megjithatë meqë një çështje e tillë ka qenë temë dite e të gjitha mediave shqiptare dhe jo vetëm, deshëm të japim një opinion të asaj çfarë ka ndodhur. Nëse kosovarët që luajnë për kombëtaren zviceriane u anatemuan për mendimin tim më shumë sesa duhet, kjo nuk ishte shumë normale. Askush nuk i ka pyetur ata më parë nëse do dëshironin të luanin për Shqipërinë dhe çfarë u ofronte ky vend përveç ndjenjës së patriotizmit në një kohë që Zvicra u kishte dhënë gjithçka që ata kishin ëndërruar. Unë dua të ndalem më shumë tek futbollistët shkodranë që luajnë për Luftëtarin. Janë jo pak por katër dhe të gjithë mendohet të jenë në formacion të dielën kundër Vllaznisë. Sigurisht që dëshira e tyre do kishte qenë që të luanin për skuadrën shkodrane por atyre ose nuk iu është dhënë mundësia ose janë refuzuar për ta bërë këtë gjë. Portieri Erind Selimaj asnjëherë nuk gjeti hapësira aktivizimi tek Vllaznia dhe pas një shtegtimi në Pukë, gjeti “strehë” tek Luftëtari. Me të po luan në Superligë ndërkohë që tek kuqeblutë jo vetëm portieri i parë por edhe i dyti është i marrë nga Mali i Zi!!! Mbrojtësi Alis Baci nuk mundi të luante tek Vllaznia, u aktivizua për një fazë tek Ada dhe më pas në Gjirokastër, aty ku është kthyer në protagonist për këtë skuadër. Mbrojtësi i majtë është nën kontratë me Vllazninë por gjasat janë të pakta që ai të kthehet në Shkodër. Sulmuesi Jasmin Rraboshta e pat filluar mjaft mirë karrierën në “Loro Boriçi” por më pas asnjëherë nuk iu hap drita jeshile për të qenë pjesë e kësaj skuadre. Mesfushori Behar Ramadani nuk ka luajtur asnjëherë për Vllazninë ndërsa sot është në formacionin e Luftëtarit.Këta katër futbollistë të dielën do kërkojnë ta mundin skuadrën e qytetit të tyre. Pse jo edhe të shënojnë gola. Natyrisht që edhe do gëzojnë nëse e bëjnë këtë gjë sepse në fund të fundit, paguhen tek gjirokastritët.Nëse dikush nga shkodranët do t’i akuzojë ata si “tradhëtarë”, sigurisht që do gabojnë. Askush nuk i ka pyetur këta futbollistë nëse kanë dëshirë të luajnë për Vllazninë. Madje ka edhe më keq se kaq. Për mënyrën si e kanë larguar nga skuadra vite më parë, mesfushori që luan për Laçin Erjon Vucaj, në asnjë mënyrë nuk dëshiron të kthehet më të luajë në Shkodër. A mund ta quajmë edhe atë “tradhëtar”? E njëjta gjë edhe për Ansi Nikën që luan për Teutën. Kur kanë qenë në Shkodër ata nuk janë respektuar aq sa duhet prandaj dhe këta futbollistë nuk dëshirojnë të kthehen e të vishen kuqeblu. Vite më parë ka patur edhe një histori tjetër, ndoshta më të shëmtuar se kaq. Në vitin 2000, tre futbollistë shkodranë braktisën Vllazninë dhe shkuan për të luajtur po në Gjirokastër me Luftëtarin. Marëdhëniet e këtyre futbollistëve me ish-drejtuesit e klubit shkodran u patën acaruar aq shumë saqë këta lojtarë për 3-4 muaj me rradhë nuk kanë mundur të shkelin në qytetin e tyre si pasojë e kërcënimeve që patën marrë!!! Për çfarë? Thjesht se një skuadër tjetër u kishte ofruar më shumë të ardhura për familjet e tyre. Ka ndodhur edhe kështu megjithatë këta futbollistë pak kohë më vonë u rikthyen sërish, luajtën për Vllazninë madje edhe e shpallën kampione atë. Shumë futbollistë shkodranë janë akuzuar nga tifozët e këtij qyteti kur i kanë shënuar Vllaznisë teksa përfaqësonin skuadra të tjera. Edhe atëherë e njëjta histori. I quanin “tradhëtarë” pa i ditur arsyet pse kishin vepruar ashtu. Thjesht donin t’i kishin tek Vllaznia. Mbase për këtë, desha të bëj një lidhje në mes kosovarëve të Zvicrës që u sulmuan në mënyrë të padrejtë dhe shkodranëve që luajnë për Luftëtarin (thjesht ngaqë ata do jenë të dielën në “Loro Boriçi” si kundërshtarë). Gjërat duhen parë ndryshe sepse sot patriotizmi ka dalë ndoshta në plan të dytë. I pari është interesi personal.