Gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Milaim Krasniqi, ka paralajmëruar drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës, që vëmendjen ta kthejnë edhe në futbollin e Kosovës.

I ftuar në emisionin “Dueli Sportiv” në RTV Dukagjini, Krasniqi ka paralajmëruar shpërthimin e ndonjë skandali në fushat tona, bazuar në kërcënimet e fundit dhe kritikat e mëdha që po marrin gjyqtarët.

Kërcënimi i fundit erdhi nga tifozët e Gjilanit, i cili kishte për adresë zyrtarët e FFK-s, pasi sipas tyre gjyqtari Kreshnik Vula asistoi në fitoren 1:0 të Flamurtarit ndaj Gjilanit.

“Të gjithë po e vlerësojmë se është kampionati më i mirë prej pas luftës, i këtij mendimi jam edhe unë. Por, ata që po e përcjellin me vëmendje,  e dinë se nuk është duke shkuar gjithçka në mënyrën e duhur”, thekson Krasniqi, raporton Gazeta Olle.

“Ka shumë ankesa të trajnerëve në gjyqtarë dhe krahas tyre, në ditët e fundit kemi edhe deklarata kërcënuese të klubeve. Ajo që më shqetëson mua është që zyrtarët e FFK-s të mos përqendrohen vetëm tek Përfaqësuesja dhe zyret e UEFA-s, por të fokusohen edhe në kampionatin e Kosovës, veçanërisht në tri javët e fundit, ngase ka shumë shumë rrezik, sepse ka edhe paralajmërime dhe mund të kenë edhe ndonjë skandal të paraparë në futbollin tonë. Nëse kjo na ndodh dhe UEFA ta zhvlerësoj këtë kampionat kaq të mirë do të ishte shumë mëkat”, ka shtuar Krasniqi.


Tri javët e fundit do të jenë vendimtare për titull dhe luftën për t’i ikur barazhit. Kjo ka bërë që ankesat kryesisht në gjyqtarë sa vijnë e shtohen.