Dorëheqja e djeshme e Nevil Dedes nga pankina e Tiranës 15 minuta para fillimit të ndeshjes me Laçin, ato fakti që nuk iu besua më vazhdimi i drejtimit të pankinës kukësiane Rrahman Hallaçit ndonëse i kishte fituar dy ndeshjet e fundit, kanë bërë që në Shqipëri të lëkundet edhe më shumë institucioni i trajnerit.

Ditën e djeshme dhe të sotme kanë reaguar në lidhje me këtë temë shumë figura të njohura të trajnimit shqiptar për të cilët, një situatë e tillë është e pakuptimtë.

Ka folur për këtë çështje edhe trajneri i njohur shkodran Kreshnik Krepi i cili për “Shkodra Sport” është shprehur kështu: “Konstatoj se futbolli dhe klubet shqiptare kanë evoluar shumë, por ndërkohë statusi i trajnerit lë shumë për të dëshiruar dhe sidomos në disa klube ku rolin kryesor e ka presidenti.

Kam qenë dhe jam i mendimit se duhet të shkojmë drejt asaj që një trajner duhet ta nisë një kampionat dhe ta çojë deri në fund atë. Por tek presidentët e klubeve shqiptare ka një problem mental se duan t’i bëjnë të gjitha vetë dhe prandaj dështojnë.

Ndoshta tek Vllaznia është shembulli më pozitiv si duhet të funksinojë një klub. Drejtuesit e klubit dhe stafi i kanë lënë çdo gjë në dorë stafit teknik. Por në Shqipëri ka një rregull për trajnerët: Nëse duan të ecin përpara dhe të bëjnë karrierë, duhet të supertojnë edhe sjelljet e presidentëve”./SHKODRA-SPORT.COM/