Sulejman Mema është bindur se shkodranët e kanë shtruar rrugën drejt titullit në ndeshjen kundër Teutës. Trajneri që i ka dhënë dy kampionate Tiranës (në sezonet 1995-1996 dhe 1998-1999), e komenton kështu garën e këtij kampionati:

“Deri tani unë shoh skuadrën e Vllaznisë nga mënyra se si po luan, nga motivimi, nga mentaliteti që kanë. Nuk e them këtë prej rezultatit, por kam parë që kanë pasur stabilitet. Edhe kur skuadra është mundur, ka ditur të reagojë dhe kur ndodh kjo, është pozitive. Nuk e humbet entuziazmin. Kjo është pozitive.

Unë e kam parë në fushë skuadrën dhe edhe pse gati 50 për qind e skuadrës është ajo e mëparshmja, tani është ndryshe nga ekipet e tjera. Po të them për Kukësin, e shoh shumë të vështirë sepse atë karakter që i duhet futbollit nuk e ka. Tirana po u rregullua me Seferin, mund ta shoh pozitivisht, por të shohim si do të vazhdojë.

Sa për Partizanin, Daja mbi të gjitha di të administrojë shumë mirë situatën. Por deri tani shoh Vllazninë. Edhe ju vetë duhet të jeni të bindur për nga mënyra se si luan kjo skuadër.

E pashë me Teutën dhe kishte diferencë shumë të madhe. Gjatë gjithë kohës, edhe me 10 lojtarë ata e fituan takimin dhe ishin shumë më mirë se të tjerët”, u shpreh Mema për “Panorama Sport”.