Boksierët e Vllaznisë dhe të kombëtares shqiptare prej disa ditësh kanë nisur përgatitjet për aktivitetet që I presin. Janë disa të tilla në arenën ndërkombëtare në të cilat ata do të marrin pjesë në muajt e ardhshëm, por ndërkohë sipas trajnerit Zef Gjoni të gjithë janë në pritje të vendimit të institucioneve shqiptare për lejimin e zhvillimit të aktiviteve në vendin tonë, ashtu siç po ndodh në të gjitha vendet e Ballkanit.

“Kombëtarja do të nisë shpejt përgatitjet për Kampionatin Ballkanik që do të zhvillohet në Kroaci. Po ashtu është një turne ndërkombëtar për 18 vjeçarët në Budva si dhe do të jenë kualifikueset e Lojërave Olimpike ku boksieri Rexhildo Zeneli është shumë pranë kualifikimit historik.

Nga ana tjetër mendojmë se në fund të këtij muaji ose deri në gjysëm të muajit tjetër do të hapen palestra dhe do të lejohet zhvillimi i aktivitete kombëtare edhe në Shqipëri. Ne jemi të vonuar sepse në të gjitha vendet e Ballanit boksi nuk është ndërprerë dhe vetëm tek ne jo. Ideja e Federatës është që kampionati kombëtar të zhvillohet në datat 15-20 mars”- ka thënë Gjoni.

Në pritje të këtij vendimi, në fakt duket se pas 30 vitesh shumë të suksesshëm, Zef Gjoni nuk do ta drejtojë më ekipin e Vllaznisë. Ai ka bërë të ditur se boksi në Shkodër po persekutohet, ndonëse I ka dhënë kaq shumë trofe dhe sportistë kampionë atij.

“Kampionati pritet të zhvillohet në mars, por unë do të jem pjesë e Vllaznisë. Do të garoj me stemën e një ekipi tjetër. Kemi të bëjmë me ekipin e një Bashkie tjetër të Qarkut Shkodër. Marëveshjen dhe gjithçka tjetër me të, e kemi gati.

Do të marr me vete edhe Arjon Kajoshin dhe Nelson Hysën, po ashtu edhe Rexhildo Zenelin dhe një apo dy kosovarë. Me 4-5 boksierë, më mjaftojnë për ta nxjerrë kampionë atë ekip. Presidenti i tij na ka ofruar pesëfish e më shumë pagesa sa marrin sportistët në Shkodër.

Vllaznia nga ana e saj do të vazhdojë punën e vet, ka trajnera të tjerë, ka boksierë të tjerë me të cilët do ketë synimet e veta pastaj. Ka qenë një vendim i vështirë për t’u marrë dhe për t’u larguar nga Vllaznia, por kështu ka ardhur situata.

Në fakt, unë rezultoj si trajner i punësuar në Klubin Vllaznia, ngaqë gjoja sipas ligjit nuk më lejohet, madje as me honorare, krejt ndryshe nga ekipet e tjera. Sporti në Shkodër është i persekutuar dhe për këtë arsye, do të përfaqësojmë një ekip tjetër”- ka thënë ai./SHKODRA-SPORT.COM/