Boksieri shkodran Kristian Demaj nuk ka arritur të fitojë as në ndeshjen e tij të tretë në ringun profesionist, pikërisht në atë të zhvilluar mbrëmjen e sotme ndaj irlandezit Joseph wWard. Takimi është zhvilluar në ringun e Londrës dhe ka qenë ballafaqimi i parë i çerekfinaleve në mes ekipit British Lionhearts dhe atij Mexico Guerreros ku bën pjesë Demaj. Ndeshja e këtij të fundit ka qenë e para e kësaj mbrëmje, e vlefshme për peshën deri në 85 kg. Demaj ka patur një rritje në krahasim me dy ndeshjet e mëparshme megjithatë, nuk ia ka dalë të fitojë. Në fund të pesë raundeve, gjyqtaria ka dhënë këto vlerësime: 50- 45, 50-45 dhe 50-45. Në fakt me vlerësimin e bërë në raundin e fundit, boksieri shkodran nuk ka qenë aspak dakord megjithatë vendimi nuk ka ndryshuar. Në këtë mënyrë, ai e ka mbyllur serinë e tre ndeshjeve në boksin profesionist me tre humbje, pikërisht ndaj bjellorusit Kuzmin, rusit Yakushev dhe sonte ndaj irlandezit Ward. Kjo ka qenë ndeshja e fundit e Kristian Demës me ekipin meksikan sepse siç dihet kontrata që ai ka patur me të mbaron në fund të marsit. Mbetet për t’u parë nëse në verë, kur të fillojë sezoni i ri, ai do firmosë apo jo kontratë të re, me të apo me ndonjë ekip tjetër pjesmarrës në World Series Boxing.
Gjergj KOLA