Boksieri shkodran Kristian Demaj i është rikthyer sërish këtij sporti. Ai disa muaj më parë kishte vendosur ta braktiste përfundimisht atë por i mirënjohuri Jetmir Kuçi e bindi për t’u rikthyer sepse ka ende shumë për të dhënë.

Të dy sëbashku kanë disa kohë që kanë nisur stërvitjen ndërkohë që sot mbërrin një lajm shumë i mirë për të.

Ai aktualisht ndodhet në Poloni sepse është përzgjedhur të jetë pjesë e fazës përgatitore të një boksieri vendas i cili po përgatitet për një ndeshje shumë të rëndësishme muajin e ardhshëm.

Bëhet fjalë për Tomasz Adamek, dy herë kampion bote në boksin profesionist.

Sportistë të tillë gjithmonë përpara evenimenteve të rëndësishme zgjedhin boksierë të tjerë për të zhvilluar me to të ashtuquajturët “sparingje” dhe këtë herë, i përzgjedhuri ka qenë shkodrani Kristian Demaj.

Ai ka zhvilluar të parën ndeshje kontrolli ditën e sotme me Adamek dhe do të ketë ndonjë tjetër edhe ditët e ardhshme ndërsa të dielën kthehet në Shkodër.

Nuk përjashtohet mundësia që deri në momentin kur boksieri polak të zhvillojë ndeshjen e tij të rradhës, ta thërrasë sërish shqiptarin për të zhvilluar edhe ndonjë sparing tjetër.

Në këtë mënyrë, Kristian Demaj duket se ka ndër mend të rikthehet fuqishëm në ring. Me shumë mundësi, në atë profesionist por kjo gjë do të vendoset në vazhdim.

Përvoja e madhe edhe në stërvitjet me kampionin e botës Tomas Adamek, pa harruar që për dy vite me rradhë pat qenë pjesë e një ekipi meksikan që merrte pjesë në një Ligë gjysëmprofesioniste.

Gjasat janë që muajt e ardhshëm, Demaj të jetë në ringun profesionist përballë kundërshtarëve të tij dhe i ka të gjitha aftësitë për të qenë i suksesshëm edhe aty.
www.shkodrasport.com