Largimi nga Interi për Kristjan Asllani ishte i duhuri për të. Mesfushori shqiptar te Torino po merr minutat e munguara në kohën kur luante te Interi, teksa me torinezët është kthyer në një titullarë fiks.
Shqiptari ka folur së fundmi për aventurën e tij në Torino, ndërsa ka prekur edhe largimin dhe konkurencën me Brozovic dhe Calhanoglu për një vend titullari. Lideri kuqezi ka theksuar se është shumë i lumtur në Torino dhe se ky ndryshim ishte i nevojshëm.
“Torino? Mirë, kemi marrë një barazim në Romë kundër Lazios. Më vjen keq, meritonim diçka më shumë në fund. Bëmë një ndeshje vërtetë të forte. U kthye në nivelet ku duhet të jetë Torino, që duhet të luftojë për gjëra serioze. Tani kthehemi, dimë që kemi Napolin, një ndeshje shumë e vështirë. Sa herë futemi në fushë, e bëjmë për të fituar. Në të gjitha stërvitjet jemi shumë konkurrues mes nesh, japim maksimumin dhe rezultatet ndonjëherë shkojnë edhe keq. Si në Parmë. Por kemi pasur forcën të reagojmë kundër Lazios.
Interi? Më vjen keq sepse lashë djem fantastikë dhe një klub të madh, por ishte më mirë për të gjithë të ndryshonim. Për mua, për Interin. Jam i lumtur që jam në Torino, e kam dashur shumë dhe është e rëndësishme të jem këtu. Kam një grup që më do, më kanë integruar në një mënyrë të mrekullueshme.
Konkurenca me Brozovic dhe Calhanoglu? Kam pasur vështirësitë e mia, natyrisht që nëse gjithmonë kanë luajtur të tjerët, unë isha më pak se ata. Por jam i kënaqur me rrugëtimin që kam bërë dhe me atë që po vazhdon. Tani është puna ime të jap më të mirën”, ka përfunduar lideri kuqezi.