Ekipi i Vllaznia U-21 e ka mbyllur ndeshjen e sotme me një humbje në shtëpi. Këtë ia ka shkaktuar Partizani U-21, duke e mundur me rezultatin 1-2.

Ndeshja e luajtur pasditen e sotme në fushën sportive “Reshit Rusi” të Shkodrës, ka prezantuar një Vllazni larg imazhit të saj. Ndeshja nis me një gol për shkodranët, teksa kalojnë në avantazh me anë të Osmanit që në minutën e 4-të.

Megjithatë, pesë minuta përpara se gjyqtari t’i dërgonte skuadrat në dhomat e zhveshjes për pushimin 15-të minutësh, ka qenë Çikani për miqtë, që shënon në portën e Vllaznisë, duke bërë që pjesa e parë të mbyllet në barazim me rezultatin 1-1.

Në 45-minutat e dyta, pritej një Vllazni më agresive në kërkim të golit të avantazhit, por atë që nuk arrijnë ta bëjnë vendasit, e bën skuadra mysafire e Partizanit, që tund përsëri rrjetën në minutën e 77-të. Këtë herë autori është Ndrejaj, një lojtar që pas pak minutash do të humbiste edhe një penallti për të kuqtë.

E gjendur në disavantazh të dy golave, Vllaznia e drejtuar nga trajneri Dean Sibson, bën të gjitha përpjekjet për të barazuar rezultatin, dhe pse jo edhe për fitoren. Megjithatë, nuk shkon më shumë, sepse në përfundim të ndeshjes rezultati është 1-2 për Partizanin.

Humbja e sotme në shtëpi e rendit Vllazninë 11 pikë nga kryesimi i kampionatit. Ndërkohë, me fitoren e regjistruar sot në Shkodër, Partizani shkon në kuotën e 28 pikëve, duke marrë vendin e gjashtë në renditje, një vend poshtë shkodranëve.
Maringlen ZHIVANI