Në pritje të vendimit të UEFA-s në lidhje me dënimet që do të jepen për shkelje të rregullave të Fair Play financiar. Milani bën planet e merkatos dhe në janar do të blejë patjetër, sepse është e qartë që i duhen përforcime për të kompletuar skuadrën dhe për të përballuar krizën e jashtëzakonshme të dëmtimeve.

Leonardo e Maldini kërkojnë lojtarë për çdo repart, duke nisur nga mbrojtja, aty ku duhet qendërmbrojtës me eksperiencë.

Tuttosport shkruan sot se klubi kuqezi po bindet gjithnjë e më shumë se lojtari i duhur është Medhi Benatia, edhe pse mbetet gjallë pista Rodrigo Caio. Për brazilianin e Sao Paulo-s ka dyshime, sepse ka luajtur pak këtë vit dhe ndoshta nuk ambientohet menjëherë në Serinë A, ndërsa diskutimi ndryshon totalisht për marokenin e Juventusit, i cili në Itali është si i shtëpisë.

31-vjeçari nuk është i lumtur në Torino, pasi ka pasur shumë pak hapësirë këtë sezon, ndaj mund të zgjedhë tranasferimin te Milani, për t’u bashkuar me Higuain. Marrëdhëniet mes dy klubeve janë shumë të mira dhe ka vetëm disa pengesa: së pari Juve kërkon 20 milionë euro dhe Milani synon të mos shpenzojë, duke vepruar vetëm me huazime nëse është e mundur.

Së dyti, Juve ka edhe problemin Rugani, sepse qendërmbrojtësi kërkon të largohet për të luajtur rregullisht dhe duhet gjetur patjetër një përforcim serioz, para se të shitet Benatia./telesport/