Pep Guardiola beson se është përmirësuar si trajner, që prej mbërritjes në Premier League, referuar natyrës së paparashikueshme të kampionatit anglez. Kjo e ka detyruar atë të përshtatet. Guardiola e mori detyrën e trajnerit të Manchester City në vitin 2016, pas shijimit të suksesit te Barcelona dhe Bayern Munich.

Ai fitoi tre tituj të La Liga-s dhe dy trofe të Ligës së Kampionëve, me skuadrën katalanase, përpara se të fitonte tre tituj kampioni në Gjermani me bavarezët. Tani, në vitin e tij të tretë me Manchester City, 47-vjeçari ka fituar titullin e Premier League në sezonin 2017-2018.

Guardiola beson se koha e tij në Angli e ka bërë atë një trajner edhe më të mirë se ai që erdhi në stolin e “qytetarëve”. “Unë jam një trajner më i mirë se kur isha në Gjermani apo Barcelonë, – tha Pep për “Sky Sports”. –

Duke qenë këtu, jam bërë një trajner më i mirë, sepse kam mësuar ta trajtoj këtë ligë të pabesueshme në shumë rrethana. Ne po bëjmë një punë të mirë, e gjithë bota na shikon, çka është diçka fantastike”.

Dhe ndërsa ekipi i tij mbetet sërish lider i kampionatit, spanjolli është i bindur se Premier League është më e vështira në botë: “Kjo ligë është më e vështira, për sasinë e lojrave, për motin dhe gjyqtarët. Edhe konkurrentë ka shumë. Është i vetmi vend, ku pesë, ose gjashtë skuadra mund ta fitojnë titullin”.