Katër humbjet e fundit rradhazi, vendi i fundit në Ligën Unike dhe lëshimi i vendit të parë dhe pozicionimi në të katërtin në kampionatin shqiptar, i kanë kushtuar shumë trajnerit të Vllaznisë në basketboll për meshkuj.

Nikola Milatoviç që prej mbrëmjes së djeshme nuk është më në këtë detyrë. Drejtuesit e klubit kanë vendosur ta largojnë, pikërisht për arsyet e mësipërme sepse skuadra nuk po funksionon dhe në rrethana të tilla, lëvizja më e mundshme padyshim që në raste të tilla është ajo e largimit të trajnerit.

Ndonëse Milatoviç ka një cv shumë të pasur dhe është një nga trajnerët më të suksesshëm edhe në basketbollin shqiptar këto vitet e fundit, tek Vllaznia në fakt nuk i ka ecur puna. Ndoshta edhe jo për fajin e tij, megjithatë ai është detyruar të paguajë për mungesën e rezultateve.

Vetë tekniku malazez është parë qartë në ndeshjet e fundit që nuk ishte aspak i qetë në punën e tij dhe këtë e demostronte edhe në mungesën e konferencave për shtyp apo dhe në aspekte të tjera. Mbase edhe vetë ai e ka kuptuar se tashmë situatën nuk e kishte më në dorë dhe ka pritur largimin e tij nga Shkodra.

Nga sa mësohet, ekipi në këto dy ndeshjet e fundit të këtij viti do të drejtohet nga zëvendëstrajneri Ervin Berdica. Por nga ana tjetër, drejtuesit po shohin mundësinë që në janar ekipi të ketë një trajner tjetër teksa po shihen disa opsione të mundshme./SHKODRA-SPORT.COM/