Humbja ndaj Egnatias, për më tepër me shifrat 0-4, ka treguar se kriza është edhe më e thellë se disa javë më parë, kur nga kjo skuadër u larguan dy trajnerë. Fillimisht Josa dhe pas një ndeshjeje të vetme edhe Miloti.

Madje humbja ndaj Egnatias është e dyta më e thellë që Vllaznia ka marrë në shtëpi të paktën në dy dekadat e fundit. Pikërisht afro 13 vite më parë ishte skuadra e Dinamos, që e mposhtte pastër me shifrat 0-4. Mirëpo nuk është vetëm kjo humbje që jep shenjat e krizës, pasi ajo ka kohë që ka filluar. Por gjithë kjo situatë ka arsyet e veta. “Panorama Sport” ju rendit disa arsye që sollën këtë krizë në këtë fazë të fundit të sezonit të Vllaznisë, duke iu referuar burimeve pranë klubit dhe asaj që është parë dhe thënë në këto ditë.

1.Mungesa e përgatitjes fizike ka qenë e para që ka ndikuar te kriza e Vllaznisë. Një fakt i tillë i theksuar edhe tekniku Sedloski pas takimit me Egnatian, teksa që në ardhjen e tij ai ka tërhequr vëmendjen ndaj skuadrës që duhet një ritëm më i lartë në stërvitje.

2.Mungesat për shkak të dëmtimeve të njëpasnjëshme kanë sjellë jo pak probleme, si në ndërtimin e formacionit, po ashtu edhe te vetë lojtarët, që nuk gjetën stabilitetin e duhur. Çdo javë është shoqëruar me mungesat e njërit apo tjetrit lojtar. Latifi e tani Mala janë emrat që vuajtën më shumë dëmtime. Mungesa e Malës po ndihet shumë në ndeshjet e fundit, teksa kthimi i tij duket ende i largët.

3.Loja e skuadrës dhe mosarritja e gjetjes së skemave nga ana e trajnerit të ri duket se ka pa dyshim ndikimin e vet te kriza e rezultateve. Tetova e kapi Sedloskin me vetëm një lëvizje në formacion dhe arriti t’i shënojë 4 gola dhe t’i shkaktojë një humbje historike.

4.Rritja e presionit dhe mungesa e rezultateve ka sjellë jo pak ndikim tek aspekti psikologjik i lojtarëve. Këtë e theksoi edhe vetë tekniku Sedloski, i cili i quajti të mbingarkuar lojtarët e tij, gjë që mund të ndikojë edhe te performanca e tyre.

5.Por nuk përjashtohet edhe mundësia që një ndikim në krizën e rezultateve kuqeblu të kenë edhe vonesat në pagesa. Pavarësisht se nga lojtarët situata nuk tregohet në mënyrë të hapur, jashtë prononcimeve zërat e lojtarëve për vonesat e pagave janë evidente.

6.Një tjetër arsye mund të jetë edhe fakti se disa nga lojtarët, kryesisht ato titullarë, po mendojnë më shumë për të shfaqur vlerat personale, pasi kontratat e tyre përfundojnë në fund të këtij sezoni dhe mendjen e kanë te treguesit personalë. Të mbledhura bashkë, të gjithë këto arsye po ndikojnë që Vllaznia të mos jetë ajo që startoi kampionatin dhe tashmë po vë në rrezik edhe objektivat minimalë të sezonit. Tani duhet pritur nëse do të vijë edhe reflektimi, në mënyrë që të shpëtohet një sezon i tërë.(Marrë nga panorama-sport)