Në Shkodër kanë filluar përgatitjet për festën e madhe të 100 vjetorit të krijimit të klubit Vllaznia. Ndonëse ende nuk ka një datë zyrtare kur do jetë kjo festë, përgatitjet po bëhen.

Në Sportklub Vllaznia ndërkohë është marrë një inisiativë shumë interesante, ajo e përzgjedhjes së sportistëve më të mirë në çdo disiplinë. Një gjë të tillë e ka zbuluar në një prononcim për mediat drejtori i tij Mark Kroqi kur është shprehur:

“Kjo është një ngjarje e madhe e sportit shkodran dhe jam me fat që në këtë moment unë ndodhem në krye të klubit. Po mundohemi ta festojmë në mënyrën e duhur, këtë ngjarje historike për Shkodrën dhe Shqipërinë. Jemi në fazën përmbyllëse të shpalljes së sportistëve më të mirë për çdo disiplinë sportive.

Për këtë arsye ne kemi ngritur komisione për çdo sport, komisione këto të përbërë nga ish- sportistë dhe shumë shpejt ato do të bëhen publikë. Jam i bindur se 100 vjetori ka për t’u shndërruar në një festë të madhe”.

I pyetur nëse është përcaktuar data se kur do të zhvillohet festa e madhe, Kroqi përgjigjet: “Edhe ne jemi në pritje të kësaj date sepse është Bashkia Shkodër ajo që do ta organizojë këtë festë dhe me siguri që do shikohen të gjithë opsionet për të gjetur momentin e duhur për këtë festë.

Por përveç mbrëmjes së madhe, kemi menduar që të organizojmë edhe aktivitete të ndryshme gjatë gjithë vitit, kombëtare dhe ndërkombëtare, për ta shpërndarë festën në një periudhë sa më të gjatë sepse ajo nuk mund të kalojë kaq lehtë, por do mundohemi t’i japim rëndësinë dhe vlerën e duhur”.
© shkodrasport.com