Vendimi i mbrëmshëm i Këshillit Bashkiak Shkodër për t’i hapur rrugë procesit të privatizimit të Klubit të Futbollit Vllaznia, është pritur jashtëzakonisht mirë nga opinioni sportiv shkodran e më gjerë. Ky ka qenë lajmi që ata kanë pritur prej kohësh dhe kuptohet që tashmë janë të lumtur për këtë gjë.
Megjithatë pyetja që lind është ajo se sa do të zgjasë tashmë procedura e shitjes? Kësaj pyetje i është përgjigjur sot kryebashkiakja Voltana Ademi e cila është shprehur kështu për mediat:
– Zonja Ademi, si e pritet vendimin e mbremshem te Keshillit Bashkiak Shkoder?
“Vendimi i marrë mbrëmë, pritet të marrë edhe miratimin e Prefektit, për të nisur më pas procedurën e cila do të nisë menjëherë, brenda këtij viti dhe do të vazhdojmë në respekt të ligjit. Ajo që është e rëndësishme ka të bëjë me faktin se është miratuar jo vetëm procedura “ankand i hapur”, duke e hapur jo vetëm për ata që e kanë kërkuar deri tani, por edhe përtej kufijve të Shqipërisë dhe nga ana tjetër përcaktohet kritere të mira të cilat kualifikojnë jo vetëm ata të interesuarit sot, por edhe ata që dikur kanë kontribuar dhe ndihmuar për të administruar klubin e Futbollit Vllaznia.
– A janë të favorizuar në këtë ankand, ata që kanë kontribute tek Vllaznia?
Ka një kriter të mirëpërcaktuar, ku të gjithë ata që kanë kontribuar dhe e demostrojnë këtë, kanë pikë më tepër në kualifikimin që vetë do të bëjmë në kuadër të privatizimit. Këtu e kemi fjalën për të gjithë ata që kanë kontribuar gjatë gjithë këtyre viteve për Vllazninë dhe janë të mirëpritur për të konkurruar sërish në këtë ankand.
– Keni thënë se ka disa të interesuar. Në mes tyre janë edhe ata që kanë kontribuar në vite apo ka edhe të tjerë?
Kam diskutuar disa herë me ata që kanë qenë të interesuar rishtazi, por edhe me ata që dikur kanë qenë të interesuar. Kjo është edhe çështje zemre, edhe çështje kontributi. Kur ke dhënë diçka për klubin tënd, patjetër që e shpreh edhe interesin dhe janë të interesuar. Ftesa shkon për të gjithë. Unë mendoj se po të bëhen bashkë, mund ta bëjnë një klub që mund të vërë gjurmë edhe më të mëdha sesa deri më sot ka dhënë në historinë e futbollit të Shkodrës dhe të Shqipërisë.
– Sa e penalizon privatizimin, borxhi i konsiderueshëm që Vllaznia ka në tatime mbi 1 miliardë lekë dhe a është vlera e nxjerrë në shitje, një vlerë dinjitoze për një klub si Vllaznia?
Vlera e dalë, është një vlerës konkurruesë ankandi. Ajo është vlera fillestare ku do të fillojë oferta që nuk mund të jetë më e ulët se kaq. Në fakt është më e lartë se klube të tjera si Tirana, Flamurtari, Partizani e të tjerë, kanë marrë nga privatizimi. Lidhur me detyrimet fiskale që janë kryesisht të tatimeve dhe sigurimeve, ne po presim një vendim të Qeverisë për të hequr interesat nga borxhet e tatimeve e nëse ndodh kjo, do të çojë në përgjysmimin e këtij borxhi.
Kjo jo vetëm për klubin tonë, por për të gjithë klubet në Shqipëri. Unë kam dhënë një propozim që vazhdoj ta them sërish. Bashkia Shkodër ashtu siç bën me të gjithë sportet e tjera, do të vazhdojë ta ndihmojë edhe futbollin në të ardhmen. Ajo është pjesë e jetës së përditshme dhe prandaj Bashkia do të vazhdojë t’i ndihmojë të gjithë të rinjtë që duan të luajnë futboll.
– Ka një frikë në opinion duke iu referuar historisë së disa klubeve të tjera si Elbasani apo ndonjë tjetër. Rrezikun e ardhjes në krye të klubit të ndonjë biznesmeni që për momentin investon, por më pas skuadra rrezikon rënien e shkatërrimin. Do të ketë ndonjë klauzolë në kontratë, për t’i paraprirë këtyre të papriturave të pakëndshme?
Në kriteret që kemi parashikuar bëjnë pjesë edhe kontrollet administrative, financiare, por edhe të qëndrimit dhe mirëadminstrimit të klubit, janë edhe pjesë të një historikut që vetë ofertuesit mund të kenë. Po ashtu, garancia e parave për t’u investuar do të jetë sërish një kriter tjetër. Unë kam marrë rreth 70 rekomandime dhe kjo është e lavdërueshme, për pjesën e kritereve. Ka patur një kërkesë që Bashkia të jetë aksionere me 20 për qind të aksioneve, por kjo është e pamundur për shkak të ligjit.
– Kur mund të kemi përmbyllje të procesit të privatizimit të klubit?
Pas konfirmimit nga Prefekti i Qarkut Shkodër të vendimit të marrë nga Këshilli Bashkiak, do të vijojmë me shpalljen e në Buletinin e Prokurimeve Publike të ankandit, më pas do të ketë besoj një periudhë 20 ditore ku presim ofertat. Më tej procedura kërkon ditët e veta për të vlerësuar dokumemtacionin e paraqitur ligjor dhe financiar të ofertuesve dhe shpresoj se nëse do të ketë një fitues, ai do të shpallet menjëherë. Nëse ka probleme në paraqitjen e dokumentacioneve herën e parë, do ta përsërisim këtë procedurë. Por ne shpresojmë që të kemi një fitues që në herën e parë.
/SHKODRA-SPORT.COM/