Ndonëse vëmendja është e përqendruar maksimalisht tek sfida e sotme ndaj Partizanit, tek Vllaznia nuk kanë munguar lëvizjet e lojtarëve, fenomen ky që ka krijuar një klimë jo dhe aq entuziaste.

Kështu, që prej ditës së djeshme me ekipin në stërvitje është bashkuar edhe basketbollisti amerikan Leo Svete. Siç kemi bërë të ditur, lojtari ka qenë ditët e fundit në Marok, vend ku ka tentuar të firmosë me një ekip dhe të luajë atje.

Por drejtuesit e vllaznisë deklaronin se Svete kishte kontratë me ta dhe nuk do t’i jepnin leje- kalimin. Ndoshta prej këtij fakti, amerikani e ka parë të arsyeshme të kthehet sërish në Shkodër për ta çuar kontratën deri në fund me kuqeblutë.

Ende nuk dihet nësë trajneri Plantak do ta grumbullojë për ndeshjen e sotme ndaj Partizanit që starton në orën 17.00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, por e rëndësishme është që Leo Svete do të jetë pjesë e Vllaznisë sërish.

Nëse ka ndodhur kështu me këtë lojtar, në skenë ka dalë një problem tjetër. Nga sa mësohet, basketbollisti serb Pavle Cvetinoviç është larguar nga Vllaznia.

Ai u mendua të ishte i rëndësishëm për këtë skuadër, nisur edhe nga gjatësia e tij prej 2.15 m por në fakt ka luajtur shumë pak minuta dhe nisur nga kjo duket se palët kanë rënë dakord për të ndërprerë bashkëpunimin që tani.
© shkodrasport.com