Katër gola të shënuar në tetë ndeshje të luajtura këtë kampionat me Vllazninë. Statistika të tilla do t’i kishte zili çdo sulmues, por te shkodranët “bomberi” vjen nga mesfusha.

Herald Marku realizoi sërish dje dhe pas ndeshjes tregoi emocionet për “Panorama Sport”, duke ndarë meritat edhe për sulmuesit, që sipas tij i krijojnë më shumë hapësirë.

Herald, jeni golashënuesi më i mirë i Vllaznisë në fazën e parë. E prisnit që të ndodhte kjo?

Është shumë bukur kur shënon dhe ndihmon ekipin. Luaj në një pozicion që shërbej më mirë sesa shënoj, por megjithatë falë hapësirave që më krijojnë sulmuesit, kam arritur që të bëj gola. Unë po shënoj, por edhe sulmuesit po më japin hapësirën e duhur për të shkuar te goli. Dëshiroj që shumë shpejt edhe sulmuesit të zhbllokohen.

Një fitore e vështirë ndaj Bylisit, pse vuajtët kaq shumë?

Po, është e vërtetë. E kishim lojën në dorë, por me pësimin e golit gjërat ndryshuan. I kishim shumë të nevojshme tri pikët, prandaj u tërhoqëm. Gjithsesi, në fund ia dolëm dhe fituam.

Ekipi ka probleme fizike apo futet nën presion kur janë minutat e fundit?

Nuk mendoj se kemi probleme fizike, por pas pësimit të golit të parë u tërhoqëm që të ruanim rezultatin. Presionin e përballuam mirë dhe arritëm maksimumin. Kjo ka rëndësi tashmë, sepse këto tri pikë na japin qetësi për javën në vazhdim. Pra, që të punojmë më të qetë dhe të vazhdojmë me këtë ritëm.

Keni ndonjë dedikim për golin?

Shkon për shokët e ekipit dhe familjen. Shokët vrapojnë shumë dhe punojnë gjatë gjithë javës.

Katër javë deri në ndërprerjen e kampionatit dhe me një kalendar që ju favorizon. Çfarë prisni?

E dimë që kemi një short të favorshëm dhe duhet ta shfrytëzojmë. Bashkë me tifozërinë tonë, ne duhet që të marrim maksimumin e pikëve./PANORAMA-SPORT/