Serxho Kalaj ishte titullar në ndeshjen e fundit ku Frosinone fitoi 3-0 ndaj Ternanës. Mbrojtësi shqiptar renditet i parë në Serinë B me ekipin e tij dhe është në rrugën drejt ngjitjes në A.

Në përfundim të ndeshjes, ai ka folur për “tuttofrosinone” për shpalljen kampion dimri, por edhe për ditën e tij speciale: “Në këtë ndeshje ka qenë gjithçka magjike: stadiumi plot, tifozët e çmendur, skuadra ka luajtur shumë mirë dhe kemi marrë një rezultat të mirë.

Për mua ka qenë një ndeshje speciale, sepse është e para që kam luajtur pasi babai im u nda nga jeta dhe isha i emocionuar edhe për këtë shkak. E rëndësishme është që morëm tri pikë në shtëpi”, thotë 22-vjeçari fillimisht.

NDESHJA E PARË TITULLAR- “Në skuadër ka shumë konkurrencë dhe shumë lojtarë ekspertë, dhe unë mundohem që të “vjedh” çdo ditë ndonjë gjë. Jap 100 për qind në stërvitje dhe e di se kur trajneri do të ketë nevojë për mua, unë jam gati”.

OBJEKTIVI- “Qëllimi im është t’i jap një dorë skuadrës kur të jetë e nevojshme. Dua të nderoj këtë fanellë të lavdishme. Ne synojmë gjithmonë lart, duke menduar ndeshje pas ndeshjeje. Çfarë do të ndodhë në të ardhmen do të varet vetëm nga ne, kemi potencial për të bërë mirë”, përfundoi Kalaj.