Kryetari i Shoqatës së Kompanive të Basteve Sportive, Artan Shyti e konsideron rrufe në qiell të hapur vendimin e qeverisë për të mbyllur pikat e basteve në zonat e banuara.

Gjatë intervistës në ‘Wake Up’ në Top Channel, Shyti tha se kompanitë kishin filluar të merrnin masa për mbylljen e pikave të tepërta.

Ai deklaroi se shteti fiton 45 milionë euro nga ky aktivitet dhe shumë njerëz janë të punësuar.

“Është një situatë paradoksale pasi ne prisnim që të fillonte procedura e rregullimit. Disa veprime kishin filluar të ndërmerreshin, kompanitë e basteve po mbyllnin pikat e tepërta dhe po mendonin të respektonin distancat e kërkuara.

Kjo ishte një rrufe në qiell të hapur e cila krijon probleme. Krahas aspektit ekonomik që janë 45 milionë euro që bastet sportive i japin pushtetit qendror dhe lokal në taksa të ndryshme, është një fuqi ekonomike dhe sociale, një përfshirje e njerëzve të punësuar që është shumë e konsiderueshme.

Duhet të reduktojmë këto pasoja negative”, tha Shyti. Sipas kreut të shoqatës, njerëzit harxhojnë paratë në pikat e basteve për të përjetuar emocione sportive

“Unë besoj dhe pjesa dërrmuese e atyre që luajnë besojnë se bastet sportive janë një mënyrë e përjetimit të emocioneve sportive.

Në Shqipëri këto lokalet e bukura janë kthyer në mini-stadiume ku njerëzit që në vend se të rrijnë në shtëpi vetëm shkojnë dhe e shohin (ndeshjen) me të tjerët.

Pjesa dërrmuese e atyre që kanë luajtur janë ato para që do të kishin shpenzuar nëse do blinin platformat digjitale”, u shpreh ai.

Artan Shyti paralajmëroi se vendimi drastik për mbylljen e çdo pike basti do të rikthejë në Shqipëri sërish bastet e paligjshme, të cilat ishin shumë të pranishme pak vite më parë.