Situata e krijuar tek Vllaznia dhe polemikat në distancë me Bashkinë Shkodër dhe Klubin Vllaznia, kanë bërë që kryetarja e Këshillit Bashkiak, zj. Brisela Kadija të dalë sot në një konferencë shtypi.

Në fjalën e saj ajo ka bërë një pasqyrë të të gjithë situatës së krijuar duke dashur të përmendë faktin se Këshilli Bashkiak asnjëherë nuk ka qenë pengesë për miratimin e buxhetit të KF Vllaznia.

Njëkohësisht ka bërë të ditur edhe kërkesat që Këshilli i ka bërë Klubit për rishikimin e buxhetit por kjo nuk ka ndodhur. Në këto kushte, Kadija ka theksuar disa herë faktin që institucioni të cilin ajo drejton, nuk ka qenë pengesë për këto probleme.

Megjithatë sipas saj, për të zgjidhur këtë ngërç, është planifikuar që ditën e premte, datë 29 maj, ora 10.00 të zhvillohet mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të Klubit të Futbollit Vllaznia.

“Nëse na i sjellin ashtu siç i kemi kërkuar pasqyrat financiare dhe buxhetin e rishikuar, padiskutim që Këshilli Bashkiak Shkodër do ta miratojë buxhetin e Vllaznisë sepse ne nuk kemi qenë asnjëherë pengesë për një gjë të tillë”- është shprehur kryetarja Kadija.
www.shkodrasport.com