Opinion nga Ridvan Gjeçaj*

Me zgjedhjet e zhvilluara në vitin 2007, gjithë komuniteti i notit shpresonte për një erë të re të zhvillimit të këtij sporti, që do të thoshte rritje të cilësisë sportive si dhe rritje te masivitetit, prandaj dhe njerëzit e propozuar dhe të zgjedhur u menduan cilësor dhe kontribuues.

Por gjithçka u zhvillua ndryshe. Duke parë shkeljet e njëpasnjëshme dhe të papërgjegjshme administrative të presidentit Feim Alliu dhe të sekretares, Suela Haxhia, dhe duke refuzuar disa herë vazhdimësinë e atyre të shkeljeve, për të mos dashur të bëhem pjesë e atyre shkeljeve, u krijuan dhe kontradiktat e para midis pjesës së shëndoshë të Federatës Shqiptare të Notit dhe trajnerëve me pjesën mediokre të Federatës, e cila edhe e manipuluar nga drejtuesit e sipërpërmendur të FSHN-së shkaktuan dëme të konsiderueshme të ecurisë së këtij sporti, si në aspektin financiar dhe moral, ashtu dhe të zhvillimit teknik, duke ndërmarrë një sërë operacionesh për përjashtimin të sportistëve dhe trajnerëve që, nuk ishin në linjë me shkeljet e presidentit Alliu dhe sekretares Haxhia, derisa sa u arrit në përjashtimin spektakolar të tre anëtarëve më aktivë të Kryesisë, përfshirë dhe zëvendëspresidentin, pa u mbështetur në asnjë pikë të statutit.

Më qesharak e bën fakti që, kjo mbledhje kryesie u zhvillua me praninë e vetëm dy anëtarëve nga shtatë që ka Kryesia. Motivi i vetëm ishte relacioni i kryegjyqtarit të papërgjegjshëm, Emin Lishi, i emëruar pa mbledhjen e Kryesisë, direkt nga sekretarja Suela Haxhia. Theksojmë se, rregullorja e funksionimit të brendshëm të Federatës Shqiptare të Notit përjashton emërimin e çdo gjyqtari mbi moshën 60 vjeç. Aktualisht, Lishi është 69 vjeç. Në asnjë rast, të kërkesave verbale dhe shkresore, të bëra nga ana jonë, pra të përjashtuarve, nuk kemi arritur të sigurojmë dokumentacionin e asaj mbledhje fantazmë të zhvilluar në Sarandë. Protokolli i mbledhjes është i firmosur dhe nga njerëzit e papranishëm, fakte të konfirmuara dhe nga vetë personat, si nga z. Arben Kaçurri, drejtues ne Universitetin e Sporteve, anëtar i Kryesisë së FSHN-së, por pa asnjë pjesëmarrje në aktivitetin e saj, ashtu dhe nga znj.Teuta Mejdani, që prej muajsh ndodhej në Itali, për probleme shëndetësore familjare.

Në rastin e zhvillimit të Asamblesë Vjetore, të vitit 2011, në qytetin e Durrësit, ne nuk u pranuam me statusin e anëtarit të Kryesisë, por thjesht si dëgjues, dhe në kundërshtim me Statutin e Federatës Shqiptare të Notit u votua për pezullimin përfundimtar tonin, pra Ridvan Gjeçajt, Alfred Gjatës dhe Julian Bregut, si anëtar të Kryesisë dhe përjashtimin e Dashamir Bregut, si trajner i ekipit të Partizanit dhe i ekipit Kombëtar, i merituar për këtë post për arritjet e larta. Theksoj se trajneri Dashamir Bregu është jo vetëm përfaqësues i dinastisë “Bregu “,ne sportin e notit (tre vëllezër dhe dy djem notarë dhe rekordmene) por dhe trajneri që, i ka dhuruar notit shumë rekorde, kjo dhe në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë.

Kurrë më parë nuk kishin ndodhur përjashtime të tilla. I pari i përjashtuar ishte trajneri i ekipit të Tiranës, Arjan Fetishaj dhe viktimat e radhës. Por, këtë klime përjashtimesh dhe presioni e kanë pësuar edhe sportistë elitarë si Rovena Marku, Sidni Hoxha, Tea Pikuli etj.

Edhe në Asamblenë Zgjedhore të vitit 2012, megjithëse të propozuar nga klubet dhe shoqëritë përkatëse, u përjashtuan dhe klubet, Vllaznia, Shoqëria e Sporteve të Ujit “Murriqi”, etj. me përfaqësuesit përkatës, megjithëse shoqëri me kontribute të rëndësishme për këtë sport, dhe u pranuan të votonin shoqëri “fantazme”, por të “pasionuar” pas presidentit.

Edhe kjo Asamble Zgjedhore, ashtu si paraardhësja e saj, e zhvilluar me një vit vonesë, me një vendim të veçantë të pa propozuar nga asnjë anëtar i Kryesisë, por me vendimin e Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, të paktën kështu pretendon sekretarja Haxhia, u zhvillua me shkelje të rënda statutore. Përveç mospranimit të kandidatëve të propozuar nga klubet përkatëse, por kundërshtar të duetit Alliu-Haxhia, në këtë asamble u propozuan për anëtar kryesie persona që nuk kanë asnjë lidhje me notin, kurse ndër kushtet kryesore te Statutit është qe kandidati për anëtar kryesie duhet të jete marrë me këtë sport, madje dhe të ketë fituar trofe. Përveç kësaj, në kundërshtim sërish me Statutin, zgjidhet anëtar kryesie, sekretari i një shoqate të sporteve të ujit.
Përveç kësaj, u pranua zëvendësimi i personave të mandatuar që nuk ishin të pranishëm, me persona të momentit dhe pa mandat, si dhe, u pranua kërkesa e një shoqate që të siguronte mandatin brenda sallës së Asamblesë dhe personi përkatës mori pjesë në votim, në kundërshtim flagrant me statutin e Federatës Shqiptare të Notit. Me gjithë këto shkelje, sigurisht që, dhe rezultati është krejt i qartë, dhe shpreh gjithë atë atmosferë që çifti Alliu-Haxhia ka krijuar për këtë mandat të drejtimit të FSHN-së. Duhet theksuar që, për të gjithë këtë periudhe, nga ana e tyre pa asnjë konsultë me pjesën teknike të Federatës janë përcaktuar persona pjesëmarrës në aktivitet ndërkombëtare madhore, si Olimpiada “Londër 2012”, Kampionati Botëror “Shangai 2011” dhe Kampionati Botëror “Stamboll 2012”, në të cilat u caktuan si trajnerë të ekipit Kombëtar, persona që nuk kanë asnjë lidhje me sportistet pjesëmarrës, por dhe qe personalisht nuk kane arritur asnjë normë përfaqësimi për në garat kombëtare. Këto “emërime” u bënë për të kompensuar kontributin që kanë dhënë këta persona në zgjedhjet e tyre në pozicionet e drejtimit.
Këtë Federatë do ta kishte zili çdo agjenci turistike, për numrin e personave që çon në aktivitete prestigjioze të Federatës Ndërkombëtare të Notit Amator (FINA) apo Ligës Europiane te notit (LEN). Kështu, në Kampionatin Botëror “Dubai 2010” morën pjesë 15 sportistë nga Shqipëria, ndërsa në Kampionatin Botëror te notit “Roma 2009” morën pjesë më shumë notare se në “kampionatin shqiptar”.

Duke parë Kryesinë e Federatës Shqiptare të Notit dhe gjithashtu dhe drejtuesit, presidentin dhe sekretaren, me lidhje të përcipta ose pa lidhje fare me këtë sport, shpresohet që zhvillimet pozitive të arrihen vetëm falë punës së trajnerëve aktualë të ekipeve elitë të notit, të cilat janë shumë të pakta, si Partizani, Tirana, TDS, Teuta,etj me trajnerët Dashamir Bregu, Arjan Fetishaj, Shpëtim Hoxha, Sulejman Poda dhe Agron Ismailati.
Përsa i përket punës që zhvillojnë këta trajnerë dhe rezultateve që arrijnë me sportistët e tyre, mund ta bënin edhe pa prezencën e drejtuesve aktualë të federatës. Në komunitetin e notit, i cili është 100 për qind vullnetar, pasi bëhet fjalë për një sport të kushtueshëm, të gjithë habiten me rolin që luan Federata, pasi më së shumti ajo ka luajtur një rol destruktiv .

Dua të përshëndes përveç trajnerëve te nderuar, dhe armatën e prindërve që kontribuojnë në të gjitha fushat për fëmijët e tyre, por njëkohësisht dhe për zhvillimin e këtij sporti!

Por, a mund të vazhdohet më kështu, me një federate që nuk ka asnjë plan zhvillimi të saj, që nuk ka një plan perspektiv për sportistet e elitës, pa përmendur zhvillimin e infrastrukturës ose që drejtues teknik ka një specialist atletike?!

Mos po kthehen vitet 1945?!
Kjo letër e hapur është vetëm një mesazh për të reflektuar, pasi në vazhdojmë të pyesim: ku po shkon noti shqiptar?!
Ne kërkojmë me forcë zhvillimin sa më shpejt të zgjedhjeve të ndershme dhe transparente, nën monitorimin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe pa praninë e drejtuesve aktualë dhe të kontestuar të Federatës”.
*Zëvendëspresidenti i Federatës Shqiptare të Notit dhe ish-trajneri i ekipit Kombëtar të notit (1989-1996)