Vllaznia ka lënë pas ndeshjen e Kupës, ku me fitoren 3-0 ndaj Flamurtarit, siguroi kalimin në turin e dytë. Tashmë, kuqeblutë janë përqëndruar në kampionat, ku ndeshja e rradhës do të jetë në transfertë me ekipin e Laçit.

Përgatitjet për kurbinasit kanë filluar që dje me seancat stërvitore, teksa duhet thënë se grupi nuk ka qenë i plotë. Ndërkohë, seanca e sotme ka qenë më e plotësuar sa i takon futbollistëve që morën pjesë në stërvitje.

Nga sa është parë, kualifikimi në Kupë sikur ka ndryshuar disi për mirë atmosferën në kampin kuqeblu, pasi për hir të së vërtetës, rezultatet e ndeshjeve të fundit, i kanë vendosur në një fare mënyre nën trysni futbollistët dhe stafin teknik, me në krye trajnerin Mirel Josa.

Nga ana tjetër, vëmendja e drejtuesve ka qenë edhe tek dëmtimet që po kalojnë disa futbollistë të Vllaznisë. Kështu, prej disa javësh vijojnë të mos jenë të gatshëm emra si Latifi, Heriç, Boshnjaku dhe Hakaj, por së fundmi këtij kontigjeni i është shtuar edhe Fjoart Jonuzi. Gjithsesi, Heriç ka dhënë sinjale rikuperimi për ndeshjen e së dielës dhe mund të jetë i gatshëm për përballjen ndaj Laçit.

Sa i takon 11-shes së formacionit, seanca e nesërme, e fundit përpara sfidës me Laçin, do të jetë ajo që do ta vendosë përfundimisht një gjë të tillë. Takimi Laçi-Vllaznia do të luhet të dielën në stadiumin e Laçit, duke filluar nga ora 15:00, ku objektivi i kuqebluve është vetëm trepikëshi.
Maringlen ZHIVANI