Një nga figurat e njohura të futbollit në Shkodër, Kujtim Shaba ishte i ftuar mbrëmë në Star Sport. Përveç komenteve për Botërorin, ish-drejtori i Vllaznisë u ndal edhe tek kuqeblutë.

Ai komentoi për ndeshjen kundër Tiranës në superkupë, ku theksoi se e shikon ekipin me probleme fizike. Por është optimist për suksesin në datën 7 dhjetor.

Shaba tha: “Do jetë një ndeshje shumë interesante kjo kundër Tiranës. Dua ta shoh ekipin se si do vijë pas këtyre ditëve përgatitje nga Ulqini.

Por shoh një problem fizik tek Vllaznia, më saktë me dëmtimet. Thonë që do kthehet Latifi, por gjendja e tij duhet parë me kujdes sepse ka kohë që nuk luan.

Po ashtu Bulatoviç për mua do jetë mungesë e rëndësishme. Këto i shoh si pika të dobëta, mungesa për Vllazninë që vështirë se mund të zëvendësohen. Pavarësisht kësaj uroj me zemër që Vllaznia të fitojë sepse do i bënte një mbyllje të bukur vitit. Por e shoh një ndeshje të balancuar totalisht në datën 7 dhjetor”.
Endri ÇINARI